Derbi i Italisë mes Juventusit dhe Interit, që do të luhet të dielën në mbrëmje në Torino, vlen rreth 1 miliardë euro. Kjo nisur nga vlera e futbollistëve që kanë në përbërje dy skuadrat kryesuese të Serie A.

Deri para pak kohësh, bardhezinjtë dominonin skenën nga pikëpamja e pagave, duke qenë se mund të investonin shuma të mëdha parash për të blerë lojtarët më të mirë në treg, por prej disa kohësh gjërat duket se kanë ndryshuar.

Nëse në vlerën e grupit, Inter ka një avantazh prej 150 milionë eurosh, për sa u përket pagave neto, pra pa përfitimet e Dekretit të Rritjes, ndeshja është pothuajse e barabartë, me më pak se dy milionë euro në favor të Juves. Një balancë që demonstrohet edhe në fushë, me dy skuadrat që kanë vetëm dy pikë diferencë.

Pavarësisht se është i pezulluar, më i paguari është Paul Pogba me 8 milionë euro në sezon, i ndjekur nga dyshja Vlahovic-Rabiot me 7 milionë. Jashtë podiumit është Calhanoglu, me 6.5 milionë euro në vit, ndërsa Lautaro ndjek me 6 milionë.

Megjithatë, “Toro” do ta rinovojë së shpejti kontratën me zikaltrit, duke synuar ta kalojë numrin 10 të Juventusit, duke qenë se ai duhet të fitojë nga 7.5 deri në 8 milionë euro. Gjithsesi, këto shifra zerohen në fushë, me derbin e së dielës që nuk ka favoritë.