Umberto Eco: Humbja e privacisë
Një prej problemeve të kohës sonë, që (po të nisesh nga çfarë thotë shtypi) ka obsesionuar nga pak të gjithë, është ai i së ashtuquajturës privaci, apo përkthyer disi trashë, mund t’i themi privatësia.
E përkufizuar me shumë përzemërsi, nënkupton që çdokush ka të drejtë të jetojë jetën e vet dhe të bëjë punët e tij, pa lejuar që të tjerët, sidomos agjencitë e lidhura me qendrat e pushtetit, të marrin vesh detajet e tua.
Dhe ekzistojnë institucione që synojnë t’u garantojnë të gjithëve privatësinë (por fjalën privaci mbajeni në mendje, ndryshe nuk na marrin seriozisht). Për këtë arsye, këto institucione shqetësohen se mos përmes kartave tona të kreditit dikush mund ta dijë se çfarë kemi blerë, në cilin hotel kemi zënë dhomë dhe ku kemi ngrënë darkë. Për të mos folur pastaj për përgjimet telefonike, sado që janë të domosdoshme në ndjekjen e kriminelëve dhe keqbërësve; deri aty sa së fundi Vodafone lëshoi alarmin për mundësinë që agjentë më shumë ose më pak sekretë të çdo vendi, të marrin vesh se kë telefonojmë dhe çfarë i themi.
Duket pra, se privatësia është një e mirë që çdokush dëshiron ta mbrojë me çdo kusht, për të mos jetuar në një univers prej Vëllai të Madh (ai i vërteti, i Oruellit) ku një sy universal mund të përgjojë gjithçka bëjmë, e madje mendojmë.
Por pyetja është: Vërtet e ka kaq merak njeriu i sotëm privatësinë?
Një herë e një kohë, kërcënimi ndaj privatësisë ishte thashethemi, dhe frika prej këtij të fundit nënkuptonte një atentat ndaj reputacionit tonë publik, dhe nxjerrja në mejdan e rrobave të pista të shtëpisë që, ashtu siç e do zakoni dhe tradita, duhen larë brenda familjes. Por, mbase për faj të së ashtuquajturës shoqëri e lëngshme, aty ku gjithkush e sheh veten në një krizë identiteti e vlerash, e nuk di më se nga duhet të shkojë e të kërkojë për pika referimi përmes të cilave të gjejë veten, mënyra e vetme për të marrë një njohje shoqërore është ajo e të shfaqurit, e të dukurit me çdo kusht.
Kësisoj, zonja apo zonjusha që tregton vetveten (e që një herë vaktit kërkonte ta mbante të fshehur ndaj prindërve apo të afërmve veprimtarinë e saj) sot, duke e titulluar zanatin e saj ndoshta edhe shoqëruese, apo eskortë, e pranon gjithë lezet rolin e vet publik, pa ngurruar edhe të shfaqet në televizion.
Bashkëshortët që njëherë e një kohë i mbanin fortësisht të mbyllura brenda familjes sherret dhe përplasjet me njëri-tjetrin, sot marrin pjesë në emisione plehra (trash) për të recituar daç rolin e shkelësit të kurorës bashkëshortore, daç atë të brinjarit, mes duartrokitjeve të audiencës.
Pasagjeri ngjitur me ne në autobusë, urbane e trena, flet në telefon me zë të lartë çfarë mendon për kunatën apo se çfarë veprimi duhet të bëjë në bankë; të hetuarit e çdo skandali, në vend që të tërhiqen në ndonjë fshat derisa historia të qetësohet e të harrohet, shtojnë dukshëm shfaqjet e tyre mediatike, me buzët vesh më vesh, sepse është më mirë të jesh një hajdut i mirënjohur, sesa një i ndershëm i injoruar nga të gjithë.
Së fundi në gazetën “La Repubblica” u botua një artikull i Zygmunt Baumanit, ku zbulohet sesi “rrjetet sociale”, që përfaqësojnë instrumente të vëzhgimit të mendimeve dhe emocioneve të të tjerëve, po përdoren e shfrytëzohen nga pushtete të ndryshme me qëllim kontrollimin; por nga ana tjetër, falë pjesëmarrjes entuziaste të kujtdo që hyn në këto rrjete, Baumani flet për “një shoqëri rrëfimtare që promovon ekspozimin publik të vetes, si një mënyrë për të dëshmuar sa më shpejt dhe me efikasitet, ekzistencën e vet shoqërore”.
Me fjalë të tjera, për herë të parë në historinë e njerëzimit, të përgjuarit bashkëpunojnë me përgjuesit për të lehtësuar punën e këtyre të fundit, dhe marrin kënaqësi nga kjo punë, sepse “dikush i sheh” teksa ekzistojnë, dhe pak rëndësi ka nëse gjallojnë në këtë botë si kriminelë apo si deficientë.
Por ama është e vërtetë edhe tjetra, që pasi dikush arrin të dijë gjithçka për gjithkënd, dhe kur “të gjithë” të identifikohen me totalin e banorëve të këtij planeti, atëherë tepria e informacionit nuk mund të ofrojë veçse konfuzion, rrëmujë, zhurmë dhe… heshtje.
Por ky është një shqetësim për spiunët, ndërsa për të spiunuarit nuk ka problem që për ta dhe sekretet e tyre më intime, të dinë të paktën miqtë dhe të afërmit, mundësisht edhe armiqtë, sepse kjo është mënyra e vetme që ata të ndihen gjallë dhe pjesë aktive e trupës shoqërore.
Atëherë pra, përse merakosemi kaq shumë për privatësinë? Nuk i plas askujt për asgjë. Për të ekzistuar, rëndësi ka që të dukesh.