Për turistët, pushimet e të cilëve u ndërprenë për shkak të zjarreve në Rodos, qeveria greke do të ofrojë një javë pushime falas në pranverë ose në vjeshtë në ishull, njoftoi të mërkurën kryeministri Kyriakos Mitsotakis, gjatë një interviste për emisionin “Mirëmëngjesi Britani”, në kanalin televiziv britanik ITV.

Duke folur për zjarret, ai theksoi gjithashtu se “asnjë jetë nuk ka humbur në Rodos, nuk raportohet për të lënduar, ne kemi arritur të evakuojmë 20 000 njerëz shumë, shumë të sigurt”.

”Ne e kuptojmë se kjo shkaktoi disa shqetësime për vizitorët, por jam i lumtur të raportoj se Rodosi sot është më mikpritës se kurrë, ishulli është kthyer në normalitet dhe për të gjithë ata që pushimet iu ndërprenë nga zjarret, qeveria greke në bashkëpunim me autoritetet lokale do të ofrojnë një javë pushime falas në Rodos pranverën e ardhshme dhe vjeshtën e ardhshme, në mënyrë që të sigurohemi që ata të kthehen në ishull dhe të shijojnë bukurinë e tij natyrore”, shtoi ai.

Mitsotakis theksoi gjithashtu se zjarri, ndonëse shkatërrues, kishte prekur vetëm 15% të Rodosit, i cili tani ishte “rikthyer në normalitet”.

“Ne kemi pasur gjithmonë zjarre në Mesdhe për mijëvjeçarë. Ajo që ka ndryshuar gjatë viteve të fundit për shkak të ndryshimeve klimatike është intensiteti i tyre. Po, ne patëm një zjarr shkatërrues në Rodos, por ai preku më pak se 15% të ishullit. Ishulli është përsëri në normalitet, nuk kemi zjarre aktive ndërsa moti për 15 ditët e ardhshme duket relativisht i mirë”, tha ai.