LISTA/ Kush janë 14 zyrtarët e biznesmenët serbë në listën e zezë të SHBA-së

SERBI– Mediat serbe kanë publikuar një listë të 14 zyrtarëve e biznesmenëve të sanksionuar nga SHBA. Vendosja e sanksioneve nga Departamenti Amerikan i Thesarit do të thotë se të gjitha asetet e personave nën sanksione të vendosura në SHBA janë të bllokuara. Në të njëjtën kohë bllokohen edhe kompanitë në pronësi të tyre apo me të cilat janë të lidhura.

Siç shkruan Nova.rs, rasti më i fundit është i Aleksandër Vulin, drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) i cili u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.  Ai dyshohet për aktivitete korruptive, kryesisht në përhapjen e ndikimit malinj rus në Serbi, si dhe përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar, trafik droge dhe shpërdorim të detyrës publike.

Veprimet e tij, siç thuhet në raport, promovuan korrupsionin në institucionet shtetërore në Serbi, dhe me këtë nënkuptojmë keqpërdorimin e pozitës për interesa personale, e që përfshin përfshirjen në tregtinë e narkotikëve.

Sipas mediumit serb, zyrtarët e biznesmenët e sanksionuar janë emra të njohur për publikun, përmendim këtu tregtarin e armëve Slobodan Teshiç dhe biznesmeni kontrovers Milan Radojiçiç.

Ndërsa ata të cilët janë më pak të njohur, listohen si më poshtë. Njëri prej tyre është Sllobodan Teshiç, tregtar armësh. Nova.rs shkruan se, Teshiç është tregtari më i madh i armëve në Serbi dhe ai ishte i lidhur me dërgesa të dyshimta të armëve, për këtë arsye ai ishte në fokus të publikut ndërkombëtar në disa raste, madje ishte i kërkuar për një kohë nga Interpoli.

Por, pavarësisht se ai është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kompanitë e tij vazhdojnë të eksportojnë armë. Në këtë listë është edhe Goran Andriç, i cili menaxhon kompaninë “Velkom Trade” Beograd, dhe siç ka njoftuar më herët nga Ministria e Financave të SHBA-së, Andriq është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Slobodan Teshiqit.

Përveç këtyre, lista përfshin shumë të tjerë bashkëpunëtorë të Teshiq, si Nebojsha Sharenac, Nikolla Brkiq, Esad Kapixhiç, dhe Zhelimir Petroviç.

Si bashkëpunëtorë të tij përmenden edhe Sreten Cvjetkoviç, Zoran Petroviç, Milan Subotiç dhe Ljubo Mariçiç, të cilët po ashtu janë nën sanksione.

Gjithashtu, aty gjenden edhe biznesmeni kontrovers Milan Radoiçiç, i cili ishte i lidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç.

Bashkëpunëtori i tij më i afërt Zvonko Veselinoviçit, si dhe kompanitë e tij janë gjithashtu nën sanksione. Veselinoviç ishte i lidhur edhe me vrasjen e Ivanoviçit, gjithashtu.

Ndërkohë listës “i është bashkuar” edhe Luka Karaxhiç, vëllai i Radovan Karaxhiç, i cili u dënua për krime lufte në luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 1990.

Radovan Karaxhiç u arrestua në vitin 2008 dhe më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për krimet në Srebrenicë. E ndërsa akuzat ndaj Vulin po vërshojnë këto ditë, ai është ende në postin e kreut të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.

Për rastin e tij ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili praktikisht ka bërë të ditur se Vulin nuk do të shkarkohet nga posti i kreut të BIA-s./Limit.al