Ylli brazilian i futbollit, Neymar u gjobit me rreth 3,3 milionë dollarë për shkeljen e ligjeve mjedisore, ndër të tjera citon DPA pasi ndërtoi një liqen artificial në rezidencën e tij në plazh, në Rio de Zhaneiro, tha autoriteti lokal i mjedisit.

”Dhjetëra shkelje u konstatuan në pronën luksoze, ku punëtorët po ndërtonin një liqen artificial dhe një plazh”, sipas një raporti prej 46 faqesh të grupit të inspektimit mjedisor.

Shkeljet përfshijnë devijimin e rrjedhave ujore si dhe nxjerrjen e paautorizuar të ujit nga lumenjtë dhe lëvizja e tokës.

Rasti është raportuar edhe në prokurorinë publike dhe polici.

Vendi u rrethua, muajin e kaluar dhe autoritetet urdhëruan të ndërpritej i gjithë aktiviteti, por, sipas raporteve të medieve braziliane, lojtari i ”Paris Saint-Germain” organizoi një festë në rezidencë dhe u la në liqen.

Shtëpia ndodhet në qytetin bregdetar të Mangaratiba, në bregun jugor të shtetit Rio de Zhaneiros, në Brazil.