Inflacioni në Suedi është rritur ndjeshëm dhe madje më shumë nga se ishte e planifikuar. Shkak është bërë turneu botëror i këngëtares me famë botërore, Beyonce. Fillimi i turneut botëror të këngëtares në Suedi muajin e kaluar ndezi një furi të tillë kërkesash për hotele dhe ushqime në restorante, saqë është shfaqur në statistikat ekonomike të vendit.

Suedia raportoi inflacion më të lartë se sa pritej prej 9.7% në muajin maj, shkruan “BBC”.

Michael Grahn, ekonomist në “Danske Bank” tha se mendonte se Beyonce ndihmoi në rritjen e tarifave të hoteleve. Ajo gjithashtu mund të ketë qenë forca pas rritjes së papritur të fortë në çmimet e rekreacionit dhe kulturës, tha ai.

“Unë nuk do ta fajësoja Beyoncen për inflacionin e lartë, por performanca e saj dhe kërkesa globale për ta parë të performojë në Suedi me sa duket i shtuan pak”, shkroi ai në një e-mail për “BBC”.

Në një e-mail për Washington Post muajin e kaluar “Visit Stockholm” e përshkroi bumin e turizmit në qytet si “Efekti Beyonce”.

Inflacioni në Suedi arriti kulmin në 12.3% në dhjetor. Shkalla prej 9.7% muajin e kaluar ishte më e ulët nga 10.5% në prill, tregojnë shifrat zyrtare. Tregjet financiare kishin pritur rreth 9.4%.

Që një yll të ketë një ndikim të tillë është “shumë e rrallë”, tha zoti Grahn për “BBC” duke shtuar se turnetë e mëdhenj të futbollit mund të kenë një efekt të ngjashëm.

Ai ka shkruar në rrjetet sociale se priste që trendet të kthehen në normalitet në qershor.

Nuk ka dyshim se turneu i parë solo i këngëtares në 7 vjet shënon një moment të madh ekonomik. Të paktën një vlerësim sugjeron se ecuria mund të arrijë pothuajse 2 miliardë paund deri në kohën kur përfundon në Shtator.

Koncertet e Stokholmit, ku Beyonce performoi në një turmë prej 46,000 personash për dy netë, thuhet se tërhoqën fansa nga e gjithë bota, veçanërisht SHBA, ku luajtën një rol të rëndësishëm kursi i këmbimit të dollarit me koronën, monedha vendase suedeze.