Kokainë, armë dhe kanabis, Policia arreston 5 persona në Tiranë e 2 në Korçë

5 persona janë vënë në pranga në Tiranë nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Policia bëri të ditur se ata janë të moshës nga 24 vjeç deri në 32 vjeç dhe banues në Durrës, Shijak dhe në Rrashbull.

Në kërkim është shpallur një tjetër person 34 vjeçar. Në total atyre iu kapën 1 kg e 100 gram kokainë, si dhe u bllokuan 3 automjete. Gjatë kontrollit, të rinjve iu gjetën dhe 710 euro si dhe 149 mijë lekë.

Uniformat blu u shprehën se ata u kapën në afërsi të fshatit Marikaj, nga një pikë kontrolli ku u gjet dhe pako me lëndën narkotike.

Akuza është se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta shtetas e shisnin drogën kryesisht në lokale të natës, në Tiranë.

Ndërkohë në Korçë u kapën armë zjarri, municon luftarak, kokainë, kanabis, fidanë kanabis, llamba led dhe shuma parash të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Hetimi u zhvillua për 5 muaj, ndërsa pas mbledhjes së provave u prangosën dy persona të dyshuar për tentativën e kultivit të bimëve narkotike.

Të ndaluarit kishin marrë edhe një banesë me qira në Korçë, ku u gjetën një pistoletë dhe fidanët e lëndëve narkotike si dhe 363.8 gramë lëndë narkotike kokainë./Limit.al