Përbërësit: ½ kg kallamarë të mëdhenj, 1 filxhan oriz, 2 qepë të grira, 10 lugë vaj ulliri, ½ gote verë e bardhë, 1 tufë majdanoz i grirë, kripë, piper
Përgatitja: Pastroni kallamarët, hiqjuni kockën, sytë dhe pjesët e forta dhe lajini mirë. Prisni tentakulat e kallamarëve në pjesë të vogla dhe skuqini në tigan me 5 lugë vaj bashkë me qepët, derisa tentakulave t’u shterojë lëngu dhe qepët të zbuten dhe të marrin ngjyrë disi të artë.
Shtoni në tigan orizin dhe përziejeni për 1 minutë, më pas shtoni verën e bardhë, për ta zier paksa, pa avulluar të gjithë verën. Shtoni ¾ e majdanozit të grirë, kripë e piper sipas shijes tuaj dhe ziejini edhe për 2-3 minuta.
Mbushni kallamarët me këtë përzierje deri në ¾ e tyre (sipas recetës së Receta-gatimi.info) duke lënë vend kur orizi të fryhet. Mbyllni grykët e kallamarëve me një kunjë dhëmbësh. Shtrojini kallamarët me vajin e mbetur të ullirit në një tigan të gjerë dhe skuqini për pak nga secila anë, sa t’u jepni ngjyrë.
Mbushni tiganin me ujë derisa t’i mbuloni kallamarët në ¾ e tyre, ulni nxehtësinë, vendosuni kapak dhe lërini të ziejnë.Mund të zgjidhni t’i zieni edhe në salcë domatesh, por kjo është receta bazike për kallamarë të mbushur, për të qëndruar krejtësisht te shija e tyre.
Shërbejini të plotë ose të prerë në rrathë të trashë, pasi t’u keni hedhur sipër pjesën e mbetur të majdanozit.
T’ju bëjë mirë!