Verdikti final i Superligës, “luftë” e hapur në të gjitha frontet, Partizani shumë pranë titullit

Një sezon futbollistik që në fund do të mbyllet me shumë polemika, për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet. Edicioni i 84-të i Kategorisë Superiore ul sëparin e saj ditën e hënë, me javën e 36-të dhe të fundit të Superligës shqiptare.

Në sfidat e fundit priten përballje të zjarrta, me 8 nga 10 ekipet të cilat luftojnë ende për të arritur objektivat e tyre sezonal.

Një ‘luftë’ e hapur në të gjitha frontet, duke nisur nga përcaktimi i kampionit të këtij sezoni, te ‘beteja’ për të kapur trenin e fundit të Europës, e deri tek mbijetesa.

Partizani është shumë pranë titullit kampion. Skuadrën kryeqytetase e ndaj vetëm 1 fitore larg kurorëzimit si kampion i Kategorisë Superiore, nëse arrijnë të mposhtin Teutën.

Durrsakët nga ana tjetër premtojnë një përballje të fortë, pasi kërkojnë të kapin Kupat e Europës.

Tirana e cila kryesonte renditjen deri një javë nga fundi, do të ndeshet me Erzenin në transfertë. Bardheblutë shkojnë në këtë takim me skuadrën e ‘gjymtuar’, pas vendimeve të Komisionit të Disiplinës, për të dënuar disa nga lojtarët kryesor, pas ngjarjeve të ndodhura në sfidën ndaj Bylisit, të përfunduar 2-2.

Edhe nëse skuadra e Orges Shehit do të arrinte të mposhte shijakasit, që nga krahu tjetër kanë si objektiv qëndrimin në elitë, fitorja do të bëhej e pavlefshme, nëse Partizani do të fitonte ndeshjen e fundit.

Të dyja skuadrat kryeqytetase do të shkonin në kuotën e 67 pikëve, por me të ‘kuqtë’ që do të pozicionoheshin përpara Tiranës, për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet direkte.

Një tjetër betejë interesante do të jetë në Ballsh. Bylis dhe Vllaznia kërkojnë tripikëshin për të shpëtuar sezonin. Mallakastriotët ndodhen në vendin e 9-të me 38 pikë dhe kërkojnë medoemos fitoren për të parakaluar Erzenin e vendit të 8-të me 40 pikë.

Shkodranëve do t’iu bënte punë vetëm triumfi, nëse duan që të parakalojnë Teutën dhe t’i ‘rrëmbejnë’ vendin e 4-t.

Dy sfidat e tjera të Superligës janë Kastrioti-Laçi dhe Egnatia-Kukësi.

Krutanët kanë rënë matematikisht nga kategoria, duke mbetur në vendin e fundit me 35 pikë, ndërsa skuadra rrogozhinase ka siguruar një vend në Conference League, duke u renditur në vendin e 3-të me 52 pikë./Limit.al