Amir Rrahmani rinovon kontratën me Napolin, mbrojtësi dardan napoletan deri në 2027

Ky sezon futbollistik ishte i mrekullueshëm për skuadrën e Napolit, duke arritur të kurorëzohet fitues i Serisë A, për herë të tretë në historinë e tyre dhe pas 33 vitesh pritje.

Triumfi i fundit i Napolit në kampionatin italian, ishte në vitin 1990, kur atëherë Maradona udhëhiqte ekipit drejt suksesit.

Për këtë sukses të jashtëzakonshëm të skuadrës napoletane kanë të gjithë lojtarët dhe stafi teknik, me në krye trajnerin Luciano Spalleti, por padiskutim një rol tepër të madh pati edhe Amir Rrahmani.

Qendër-mbrojtësi dardan ishte vendimtar në pjesën më të madhe të sezonit, duke qenë një ndër lojtarët kyç në repartin e mbrojtes te Napoli.

E pikërisht kjo paraqitje e jashtëzakonshme e 29-vjeçarit, ka bërë që ai të shpërblehet me rinovimin e kontratës nga klubi i Napolit.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, klubi bëri të ditur se është arritur një marrëveshje mes palëve dhe është gjetur gjuha e përbashkët, për rinovimin e kontratës deri në vitin 2027, por me opsionin për t’a vazhduar deri më 30 qershor të 2028-ës.

Kështu, futbollisti nga Prishtina do të mbajë fanellën e napoletanëve veshur për të paktën edhe për 4 vite të tjera.

Amir Rrahmani mbërriti në Napoli dy sezone më parë, kur në 2020-ën, drejtuesit e Napolit e blenë mbrojtësin nga Kosova nga Verona.

Me fanellën e kaltër, Rrahmani numëron 95 ndeshje dhe 7 gola të shënuar në kampionatin italian, ndërkohë që ka zhvilluar edhe 7 sfida në Champions League, pikërisht në këtë sezon./Limit.al