Tirana marshon në krye, fitore me “aromë” titulli në Laç, Partizani mposht Vllazninë dhe mban shpresat “gjallë”

Tirana arriti një fitore deçizive në Laç me rezultatin 1-3. Me këtë sukses, ‘bardheblutë’ i afrohen gjithnjë e më shumë fitimit të titullit kampion në Kategorinë Superiore.

Sfidën e zhbllokoi Florent Hasani në minutën e 17-të, duke goditur bukur me të majtën nga jashtë zone.

Në minutën e 65-të, të besuarit e Orges Shehit dyfishuan rezultatin. Hila përfiton nga një top i mbetur në zonën e rreptësisë dhe çon topin në fundin e rrjetës.

Pas vetëm 7 minutash, sërish Hila vulos këtë sfidën duke shënuar edhe golin e tretë dhe të dytin personal ndaj Laçit.

Për kurbinasit, Guindo shënoi golin e nderit, në minutën e 89-të.

Me këtë fitore, ekipi kryeqytetas ngjitet në kuotën e 63 pikëve, 2 pikë më shumë se Partizani i vendit të dytë.

Ndërkohë, nga ana tjetër edhe Partizani fitoi ndaj Vllaznisë me shifrat 2-1, duke shpresuar ende te titulli.

‘Të kuqtë’ kaluan shkodranët me golat e Sotës dhe Rrapajt, në minutat 26 dhe 34, ndërsa Bekim Bakaj gjeti rrugën e rrjetës për Vllazninë, në minutën e 51-të.

Partizani shkon në kuotën e 61 pikëve, ndërsa ‘kuqeblutë’ mbeten në vendin e katërt me 46 pikë./Limit.al