Dhënia e bakshishit është një temë shumë e diskutuar midis turistëve, kryesisht sepse praktikat e bakshishit ndryshojnë shumë nga vendi në vend.

Në shumicën e destinacioneve, dallimet janë të vogla, shumë punonjës shërbimi e pranojnë shpërblimin monetar për këshillat apo shërbimet e ndryshme, që u ofrojnë turistëve.

Por, ka disa vende ku bakshishi nuk është një praktikë standarde, ndërsa në disa të tjera, bakshishi bie ndesh me kulturën e vendit, siç na tregon edhe “Fodor’s Travel”.

Polinezia Franceze – Në këtë vend, që përfshin një zonë të Paqësorit përafërsisht me madhësinë e Europës Kontinentale, kultura mbizotëruese është ajo e mikpritjes pa detyrime apo pritshmëri.

Për shkak të kësaj, bakshishi nuk pritet dhe përpjekjet për të dhënë bakshish mund të refuzohen. Në restorante dhe hotele, është e zakonshme, që menaxheri ose pronari, të lëshojnë faturat dhe të marrin pagesën.

Japonia – Në Japoni, kudo shërbimi është shumë i mirë dhe bakshishi nuk është pjesë e kulturës. Dhënia e bakshishit, mund të shihet si një veçim i turpshëm i individit në dëm të përpjekjes kolektive.

Për shembull, dhënia e bakshishit një kamarieri në restorant, do të shihej si njohje dhe vlerësim i shërbimit të tij, por jo e ekipit të kuzhinës, që përgatiti vaktin.

Ndonëse mund të mos konsiderohet veprim veçanërisht i vrazhdë apo fyes, pasi shumë japonezë e dinë mirë se kultura e bakshishit ekziston jashtë Japonisë, mund të duket si veprim mjaft i çuditshëm.

Një tjetër pengesë ndaj bakshishit në Japoni, është se kalimi i parave nga dora në dorë konsiderohet jo-higjenike. Shumica e restoranteve dhe dyqaneve ofrojnë një tabaka plastike, për të vendosur paratë gjatë kryerjes së një pagese.

Koreja e Jugut – Ngjashëm me Japoninë, kultura e Koresë së Jugut është e rrënjosur në Konfucianizmin, i cili i jep vlerë krenarisë për punën, përpjekjet e njohjen kolektive.

Megjithatë, disa restorante të stilit perëndimor, veçanërisht në hotele, shtojnë në faturë tarifë shërbimi.

Një përjashtim nga rregulli i ndalimit të bakshishit në Korenë e Jugut, janë udhërrëfyesit turistikë, të cilët presin një shpërblim prej 10-15% të çmimit të turneut. Por, bakshishi për udhërrëfyesit turistikë duhet të jepet me maturi, mundësisht në një zarf.

Kina – As në Kinë nuk pranohet bakshishi. Madje, mund të shihet si një përpjekje fyese për të bërë bamirësi, sikur dhënia e bakshishit nënkupton, që marrësi “duket sikur ka nevojë për para”.

Madje ka disa institucione në Kinë, si aeroportet, ku bakshishi është i ndaluar me rregullore. Udhërrëfyesit turistikë janë një përjashtim, si në vendet e tjera pa bakshish, dhe bakshishi duhet të jepet me maturi.

Ndërsa bakshishi është i pazakontë në Kinën Kontinentale, duhet theksuar se Rajonet Administrative të Veçanta, Hong Kongu dhe Makao, vazhdojnë të ndjekin zakonet e bakshishit nga epoka koloniale europiane.

Kështu që, kultura e bakshishit në këto pjesë të Kinës, është shumë më perëndimore.

Fixhi – Ashtu si në Polinezinë Franceze, Fixhi është një shoqëri kolektive, kështu që bakshishi nuk pritet dhe as nuk kërkohet. Bakshishi mund të konsiderohet si vlerësim i pakëndshëm individual i një përpjekjeje kolektive.

Megjithatë, në disa resorte, mund të vendosen kuti grumbullimi “Staff Christmas Fund”, ku mblidhen paratë për t’u shpërndarë rregullisht, në mënyrë të barabartë, midis stafit.