Myrto Uzuni vetëm 1 pikë larg La Ligas, sulmuesi shqiptar merr “për dore” Granadan drejt ngjitjes në elitë

Granada e Myrto Uzunit arriti një fitore deçizive në transfertë, ndaj Mirandes, duke triumfuar me rezultatin 1-3.

Skuadra e futbollistit shqiptar kaloi e para në avantazh në minutën e 30-të me Puertas. Vendasit vendosën baraspeshën e përkohshme në të 57-n. Sërish Puertas çoi edhe njëherë në epërsi Granadan, në minutën e 62-të, ndërsa Zaragoza vulosi suksesin e mysafirëve, në minutën e 78-të.

Edhe pse kësaj radhe nuk arriti të shënonte apo të asistonte për shokët e ekipit, Uzuni spikati në fushën e lojës, duke qenë ndër lojtarët më të mirë dhe vlerësuar me një notë të lartë.

Me këtë tripikësh të arritur, Uzunin e ndan vetëm 1 pikë larg rikthimit në La Liga.

Granada ndodhet në vendin e parë të La Liga 2 me 72 pikë, 1 më shumë se Las Palmas i vendit të dytë dhe 2 pikë më shumë se Alaves i vendit të tretë.

Ndeshjen e fundit në kampionat, Granada do ta luajë në shtëpi  ndaj publikut të tyre kundër Leganes.

Edhe një barazim do të mjaftonte për ngjitjen në elitën e futbollit spanjoll për klubin ku bën pjesë 27-vjeçari beratas.

Ky sukses tepër i rëndësishëm i skuadrës së Granadas, i atriubohet padiskutim Myrto Uzunit, që me 22 golat dhe 5 asistet e tij në kampionat, mori ekipin ‘për dore’ drejt rikthimit në La Liga./Limit.al