Ulet me 25% numri i aksidenteve rrugore në vendin tonë gjatë muajit prill, u numëruan 69 aksidente

Ulet me 25% numri i aksidenteve rrugore në vendin tonë gjatë muajit prill, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në muajin prill të vitit 2023 numërohen 69 aksidente rrugore, nga 92 që kishin ndodhur prillin e vitit 2022.

Gjithsej, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 25 %, ndërsa rënie shënoi edhe numri i të aksidentuarve.

Sipas INSTAT-it, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 94 persona, nga 132 në muajin prill të 2022.

Raporti i INSTAT tregon se aksidentet rrugore, në 87 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha deri 24 vjeç, duke zënë 24.6 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grupmoshë janë ulur me 15 %, krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë./Limit.al