Europa League, Sevilla-Roma në finalen e Budapestit, spanjollët mposhtën Juventusin, italianët kaluan pengesën Leverkusen

Sevilla-Roma do të jetë finalja e madhe e Europa League, që këtë vit do të zhvillohet në Hungari.

Sevilla mposhti Juventusin me rezultatin 2-1, pas 120 minutave lojë.

Brenda harkut kohor të 90 minutave, sfida u mbyll në barazim 1-1 dhe me takimin e parë të mbyllur po me këto shifra, u nevojitën edhe gjysmë-ore të tjera lojë, për të përcaktuar finalistin.

Vlahoviç kaloi bardhezinjtë në avantazh, në minutën e 65-të.

Një ish-milanist si Suso ndëshkoi ‘Zonjën e vjetër’ me një gol fantastik nga jashtë zone, në minutën e 71-të.

Goli i fitores dhe kualifikimit për ekipin spanjoll erdhi nga Lamela, në minutën e 5-të të pjesës së parë së shtesës.

Skuadra tjetër finaliste e Ligës së Europës është Roma.

Të besuarit e Jose Mourinhos morën një barazim pa gola në Gjermani, përballë Bayer Leverkues, duke mbrojtur mjaft mirë epërsinë 1-0 të arritur në ndeshjen e parë në ‘Olimpico’.

Skuadra e Xabi Alonsos u përpoq me të gjitha mënyrat për të gjetur golin, por pa mundur dot të ‘thyej’ murin verdhekuq.

Finalja e madhe e Europa League do të zhvillohet më 31 maj, në ‘Puskás Aréna’ të Budapestit./Limit.al