U arrestua për shit-blerje votash, lihet në burg Fredi Beleri, çështja dërgohet në SPAK

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri do të qëndrojë në ‘Arrest me burg’ deri në përfundimin e procesit ndaj tij.

Kështu vendosi Gjykata e Rrethit Vlorë, e cila miratoi kërkesën e Prokurorisë, pas një seance që zgjati përreth 1 orë.

Beleri mbërriti në Gjykatën e Vlorës nën masat e rrepta të Policisë, ndërsa akuzohet për shkelje të kodit zgjedhor, pasi dyshohet se ofroi dhe premtoi para në këmbim të blerjes së votave.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, Fredi Beleri nuk ka pranuar akuzën, duke u shfajësuar se ka qënë në gjëndje të dehur dhe nuk mbante mend te gjitha bisedat që ka kryer atë ditë.

Sipas kandidatit, ai pretendon se ka qenë me bashkëpunëtorët dhe se paratë nuk i ka pasur për të blerë vota.

Ndërkohë dosja hetimore në ngarkim të Fredi Belerit, kandidat për kryetar bashkie në Himarë, për zgjedhjet vendore të 14 Majit, u dërgua në Prokurorinë e Posaçme SPAK, në Tiranë./Limit.al