Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë LETËR KiE-së: Situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është KRITIKE! Ndërhyni

BRUKSEL– “Situata e shqiptarëve në Luginën e Preshëvës është kritike“, ky është mesazhi kryesor në letrën që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka dërguar Këshillit të Integrimit Europian ku dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Sipas KASH në Luginë po ndodh një “spastrim etnik” modern që u mundëson autoriteteve shtetërore serbe të çregjistrojnë nga regjistri civil banorët e Luginës, të cilët në një kohë të caktuar nuk gjenden në shtëpitë e tyre.

Më tej Këshilli i Ambasadorëve ShqIptarë thekson se procesi i verifikimit është i njëanshëm dhe diskriminues, ndërsa vetë zbatimi i ligjit është jashtëzakonisht diskriminues i kryer vetëm në dëm të pakicës shqiptare në Serbi.

LETRA:

Një spastrim etnik modern me të drejtë quhet pasivizimi i adresave, i cili realizohet me ligj dhe që u mundëson autoriteteve shtetërore serbe të çregjistrojnë nga regjistri civil banorët e Luginës, të cilët në një kohë të caktuar nuk gjenden në shtëpitë e tyre. Pasivizimi i adresave ka pasoja direkte negative për përditshmërinë e shqiptarëve. Më tej, ai sjell shpopullimin e Luginës nga shqiptarët dhe heqjen e të drejtës së votës. Janë mijëra shqiptarë të Luginës, të cilëve tashmë e drejta e votës dhe e qëndrimit iu janë hequr nga regjistrat shtetërorë civilë të Serbisë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të përgatisë dhe dërgojë letra, bazuar në gjetjet e tij nga vizita në terren, edhe organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare, me qëllim ushtrimin e presionit për të siguruar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi./Limit.al