Laçi dhe Erzeni bëjnë “paqe” në Kurbin, 1 pikë nuk kënaq asnjërën nga skuadrat

Laçi dhe Erzeni u ndalën në një barazim 1-1, në ndeshjen e fundit të javës së 32-të të Kategorisë Superiore.
Në fund, skuadrat ndajnë nga 1 pikë, që nuk kënaq asnjërën, për objektivat që ato kanë.
Kurbinasit ndalin kështu vrullin e javëve të fundit, me synim kapjen e kupave të Europës, ndërsa shijakasit me 1 pikë të marrë, mbeten ende pranë zonës së ftohtë të renditjes.
Takimi u vendos me nga një gol për çdo pjesë.
Vendasit e nisin më mirë takimin, duke tentuar portën e Xhikës në disa raste, me Shkurtaj dhe Allan, por pa ja dalë dot të shënjestrojnë siç duhet katërkëndëshin.
Gjithsesi këmbëngulja e lojtarëve të Laçit u shpërblye në minutën e 26-të.
Bibo realizoi një super gol me një goditje predhë nga jashtë zone, duke mos i dhënë asnjë shans Xhikës të reagonte.

Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1-0 të kurbinasve.

Të besuarit e Xhevair Kapllanit e nisin më mirë 45-minutëshin e dytë të lojës dhe arrijnë të vendosin baraspeshën.
Pas një aksioni të gjatë të Erzenit, gjuajtja e Mehmetit devijohet në shtyllë nga Selmani.
Nga kjo situatë, Nonato përfiton me topin e mbetur në zonën e rreptësisë dhe çon topin në rrjetë, duke barazuar shifrat.

Në fund, sfida mbyllet në barazim 1-1.
Laçi renditet në vendin e katërt me 44 pikë, ndërsa Erzeni në vendin e shtatë me 39 pikë./Limit.al