Seria A, “luftë” e ashpër për zonën Champions, Inter tërmet 6 ballësh Veronës, Milan bën “vetëvrasje”, Gjimshiti jep asist

Kur po i drejtohemi fundit të kampionatit, lufta në Seria A po bëhet gjithnjë edhe më e fortë, me 6 skuadra të cilat po luftojnë për të zënë një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Inter i shkaktoi një tërmet 6 ballësh Veronës, duke i mposhtur 0-6, në ‘Bentegodi’. Një autogol i Gaich në minutën e 31-të dhe golat e Calhanoglu në të 36-n dhe Dzeko në të 38-n, ‘vranë’ sfidën që në pjesën e parë me rezultatin 0-3.

Në fraksionin e dytë të lojës, skuadra e Inzaghit gjeti edhe tri herë të tjera rrugën e rrjetës. Dy herë Lautaro Martinez në minutat 55 dhe 92 dhe Dzeko në të 61-ën i shkaktuan Veronës për herë të parë, disfatën më të thellë në histori, me mbi 5 gola në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi.

Milan bën ‘vetëvrasje’ në ‘San Siro’. Kuqezinjtë gabuan ndaj Cremoneses, duke u ndalur në një barazim 1-1. Pioli vendosi të lërë pushim shumë prej lojtarëve titullar, duke bërë një ‘turnover’, por kjo gjë rezultoi një zgjedhje e gabuar. Okereke surprizoi milanezët, duke zhbllokuar sfidën në minutën e 77-të.

Junnior Messias shpëtoi nderin e Milanit, duke evituar disfatën në minutën e 93-të.

Roma ‘ngec’ në transfertë ndaj Monzas. Verdhekuqtë barazuan 1-1, në një sfidë që pati tepër polemika nga ana e kryeqytetasve, për gjykimin e lojës. El Shaarawy shënoi për Romën në minutën e 24-t, ndërsa për Monzan Caldirola vendosi baraspeshën, në minutën e 39-të.

Juventus kaloi pengesën Lecce, duke triumfuar me shifrat 2-1. Për bardhezinjtë shënoi Paredes, pas vetëm çerek oresh lojë. Ceesay vendosi përkohësisht baraspeshën, nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa Vlahoviç i dha fitoren skuadrës së tij, me golin e realizuar në minutën e 40-të.

Fitore edhe për Lazion, që mundi 2-0 Sassuolon. Felipe Anderson dhe Basiç ishin autorët e golave për skuadrën e Sarrit.

Atalanta kaloi me shumë vështirësi Spezian. Bergamaskët arritën sukses me shifrat 3-2. Një paraqitje fantastike dhuroi edhe mbrojtësi kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti, i cili madje dhuroi edhe një asist për Muriel, te goli i tretë./Limit.al