Pse socialistët kanë kopjuar sloganin e tyre nga mesazhet e SHBA?

Nga Mero Baze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përsërisin për të disatën herë mesazhin e tyre politik kundër dyshes Berisha- Meta, duke u përpjekur të përgënjeshtrojë Berishën dhe Metën, të cilët po përpiqen të gënjejnë votuesit se përmes votës do të mundin SHBA.

Dy deklaratat publike të të dërguarit Gabriel Escobar për situatën zgjedhore në Shqipëri janë të qarta. E para, ka deklaruar se SHBA nuk ndikohet nga rezultatet elektorale në qëndrimin e saj ndaj personave “non grata” dhe e dyta, duke përsëritur mesazhin se Sali Berisha është e shkuara e Shqipërisë dhe njerëzit duhet të fokusohen tek ardhmja.

Këto dy mesazhe të SHBA, u drejtohen demokratëve shqiptarë të cilët duhet të jenë të qartë kur votojnë. Nuk ka rëndësi nëse ata zgjedhin Berishën para SHBA, por duhet të jenë të qartë se Berisha e do votën e tyre kundër SHBA, jo kundër Edi Ramës. Edi Rama i ka të fituara zgjedhjet.

Ndaj ka shumë rëndësi që në historinë e tyre demokratët shqiptarë të mos klasifikohen si një kontingjent anti-amerikan, siç po i manipulon Sali Berisha me Ilir Metën.

Nga mënyra se si demokratët dhe socialistët i kthejnë këto mesazhe në taktikë elektorale, varet shumë ndarja e elektoratit shqiptar pro dhe kundër SHBA.

Deri më tani kemi dy pamje të ndryshme.

Në kampin opozitar, ata që mbështesin qartë dhe hapur SHBA janë përfaqësuesit zyrtarë t PD, të cilët edhe për shkak të mungesës së lidershipit dhe infiltrimeve të Berishës brenda tyre kanë një mbështetje të vogël, e cila është një papërgjegjësi e elektoratit të djathtë në raport me SHBA.

Pjesa më e madhe opozitare i është bashkuar dyshes Berisha- Meta, me një vokacion të qartë anti-amerikan. Këtu përfshihen dhe ato parti që nuk janë zyrtarisht në koalicion me Berishën por mbështesin kandidatët e tij, madje dhe ata zyrtarë të PD që bëjnë sikur janë me PD dhe mbështesin kandidatët e Berishës. Ky është një front i qartë anti-amerikan.

Përballë tyre socialistët janë më të kujdesshëm, në të qenit në një gjatësi vale me SHBA. Slogani i tyre “Jo më mbrapa, vetëm përpara” në të vërtet është zbërthim i qart i deklaratave të SHBA para nisjes së fushatës, që Sali Berisha është e shkuara.

Dhe sa herë SHBA e përsërit këtë mesazh, aq herë socialistët ngjanë në një gjatësi vale me SHBA dhe aq herë më shumë ngjan se Berisha e Meta janë në betejë me SHBA dhe jo me socialistët.

Me këtë rast, socialistët, të cilët pritet të marrin një shumicë dërrmuese në Shqipëri, do t’i shpëtojnë fytyrën Shqipërisë, pasi SHBA do identifikohet me fituesin e zgjedhjeve, që mund të shkojë deri në 70 për qind, por opozita do të njolloset përjetësisht si një repart taliban anti-amerikan në historinë e Shqipërisë.

Lehtësia me të cilën opozita i ka lejuar Berishës dhe Metës t’i përdorë për hallin e tyre kundër SHBA do të mbahet shënim, si një nga njollat më të errëta në historinë e politikës shqiptare, e cila edhe pse pas dy vitesh mund të zhduket, do të mbahet mend gjatë.

Më 14 maj SHBA do fitojë mbi dy të tretat në Shqipëri dhe humbësit do të jenë një pakicë e përbuzur historikisht në këtë betejë kundër SHBA, por dhe kundër opozitës shqiptare./Gazeta Tema