Bëri bujë me ngrirjen e vezëve, balerina shqiptare ka gjetur dashurinë dhe së shpejti do martohet

Mesa duket, listës së VIP-ave të cilët do të martohen së shpejti, i shtohet edhe Isida Mollaymeri. E ftuar ditën e sotme në emisionin “Live from Tirana”, balerina dhe sipërmarrësja e suksesshme na tregoi copëza nga jeta e saj personale. Ajo zbuloi se është në një marrëdhënie romantike dhe do të kurorëzojë dashurinë e saj. Nuk dihen ende detaje të tjera rreth kohës dhe vendit.

Isida u shpreh: “Po jam në një lidhje dashurore. Partneri im ka pranuar një artiste në shtëpi dhe kjo nuk është diçka e lehtë. Ne artistët jemi të lirë, jemi egoistë, nuk kemi kohë, i përjetojmë gjërat ndryshe. Ne nuk rrimë asnjëherë në një vend, duam vëmendjen, kemi disa gjëra specifike ndryshe nga njerëzit e tjerë. Mua më pëlqen partneri që kam, nuk e shikoj shumë pjesën e jashtme, shoh mënyrën sesi sillet me mua dhe sesi sillet me të tjerët. Nuk jam shquar për të pëlqyer meshkujt e bukur. Të gjitha shoqet i kam shumë më të bukura se vetja, por ka qenë rastësi.”

E pyetur nëse shihet një dasëm në horizont ajo shtoi:“Do të jetë e shpejtë mendoj. Më erdhi radha dhe mua, e kam shtyrë shumë.(qesh) Teatri me zë pjesën më të madhe të ditës.”

Isida tregoi gjithashtu rreth ngrirjes së vezëve, një temë të cilën ajo e ka diskutuar edhe në fillim të vitit.

“Ka disa kohë që e kam bërë. Faleminderit mjekësisë që ia kemi arritur kësaj dite. Kërkoj dhe pak kohë për veten time. Është një gjë që ti e ke ty, nëse ti do pas disa vitesh. Ora biologjike është ora biologjike. Është e imja dhe rritet në barkun tim. Nëse nuk e përdor për vete mund t’ja japësh dikujt tjetër. E kam bërë këtu në Shqipëri,”-tha ajo.