S’ka marrëveshje për Asosacionin/ Vuçiç ‘lan duart’, ia ‘pason topin’ Kurtit

BRUKSEL-Ka përfunduar pas më shumë se tre orësh takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit në një prononcim për mediat pas takimit deklaroi se pala kosovare nuk ka pranuar propozimin për Asosacionin.

Për këtë dështim Vuçiç ‘’lau duart’’ dhe bëri përgjegjës kreun e qeverisë së Kosovës Albin Kurti. Vuçiç u shpreh se ai ka pranuar marrëveshjen por Kurti ka refuzuar në mënyrë kategorike. Në fund ai tha se gjithçka mbetet për tu parë në raundin tjetër teksa u shpreh se ai do të bëjë gjithçka për paqen dhe stabilitetin.

Aleksandër VuçiçUnë do të thosha se jam shumë i shqetësuar, sepse për çështjen kyçe, formimin e Asociacionit, është e qartë se Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin. Është e qartë për mua, ne kemi arritur në mur. Ishte e qartë që nga momenti kur u prezantua drafti i Statutit të Asociacionit. Unë pranova, Prishtina refuzoi. Mendoj se është shumë e rëndësishme ta tejkalojmë atë situatë. Shpresoj që në raundin e ardhshëm të ketë një reagim të disa të tjerëve që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla, nuk jam optimist, por mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

Pas përfundmit të takimit ka reaguar dhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrel. Ai tha se palët kanë këndvështime të ndryshme në lidhje me Asosacionin. Borrel deklaroi ndër të tjera se në takim është diskutuar për implementimin e ujdisë së arritur në Ohër. Ndërsa shtoi se është arritur marrëveshja për të pagjeturve e që sipas tij nuk ka qenë aspak e lehtë./Limit.al