PSG nuk e fal Leo Messin, i jep dënimin e rëndë yllit argjentinas

Lionel Messi dhe Paris Saint Germain janë gjithnjë e më larg rrugës së përbashkët, për të gjetur një marrëveshje.

Krisja mes palëve po thellohet gjithnjë e më shumë dhe largimi nga Parisi në verë, është thuajse i sigurtë për yllin argjentinas.

Ndërkohë, së fundmi marrëdhëniet mes tyre janë acaruar akoma më shumë, për shkak të një veprimi të 35-vjeçarit.

Messi vendosi të udhëtonte drejt Arabisë Saudite pa autorizimin e klubit francez.

Arsyeja e kësaj vizite në Arabi, është se kampioni i botës ka nënshkruar një kontratë sponsorizimi si ambasador i turizmit të vendit nga Lindja e Mesme.

Por e gjitha kjo duket se është bërë pa miratimin dhe lejen e drejtuesëve të klubit parizien.

Sipas asaj që raporton prestigjiozja ‘L’Equipe’, klubi ka pezulluar 7 herë fituesin e Topit të Artë me 2 javë, teksa do t’i ndalohet stërvitja me pjesën tjetër të ekipit.

Gjithashtu sipas gazetës, Messit do t’i mbahet paga gjatë kësaj periudhe kohore.

Sulmuesi argjentinas do të mungojë kështu në ndeshjet me Troyes dhe Ajaccio. Ai do të mund të rikthehet në dispozicion të trajnerit Galtier për ndeshjen kundër Auxerre, e cila është planifikuar të zhvillohet më 21 maj.

Sipas gazetës franceze, PSG dhe Messi do të ndërpresin marrëdhënien me përfundimin e sezonit./Limit.al