Përbërësit për 4 persona: 200 gr ananas i pastruar, 100 gr pjeshkë, 100 gr rrush, 100 gr kumbulla të kuqe, 100 gr kumbulla vjollcë, një grusht boronica të kuqe të thata, një grusht thelpinj arrash, 1 gotë e vogël Limoncello, 4 lugë gjelle sheqer

Përgatitja: Si fillim vendosni boronicat të zbuten në ujë dhe lërini për gjysmë ore. Ndërkohë përgatisni sallatën. Prisni në copa ananasin e freskët të pastruar. Lani dhe thani frutat. Hiquni bërthamat kumbullave, pritini në copa e bashkojani ananasit.

Shtoni pjeshkat të cilave u keni hequr bërthamën e i keni prerë në copa. Në fund shtoni kokrrat e rrushit të prera në feta rrethore të cilave u keni hequr farat. Shtoni thelpinjtë e arrave të prera përgjysmë. Spërkatini me sheqer. Shtoni boronicat bashkë me ujin e tyre. Shtoni Limoncellon. Përziejini frutat me kujdes, mbulojeni enën me kapak dhe lëreni për të paktën dy orë.

Në momentin e servirjes, përziejini mirë, por me delikatesë. Shpërndajeni sallatën e frutave nëpër kupa qelqi, dekorojini me gjysmë thelpi arre ose një arrë të tërë dhe shërbejini.

T’ju bëjë mirë! /Neps.al /Limit.al