Kurti dhe Vuçiç në Bruksel/ Osmani bën DEKLARATËN e FORTË

KOSOVË– Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar që Kosova të ketë draftin e saj për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo deklaroi se nuk mund të lejojë një draft të tillë nga një ekip menaxhues që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kjo deklaratë e fortë e Osmanit vjen në një moment ku në Bruksel po zhvillohet takimi Kurti-Vuçiç me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Vjosa Osmani: Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e pare e agjendës nga ajo që u prezantua në BE. Është hap i rëndësishëm në dialog me Serbinë, do ta detyrojë Serbinë të hapë arkivat se ku gjenden dëshmitë e mbi 1600 të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Osmani tha ndër të tjera se drafti i hartuar nga Republika e Kosovës duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin e shkruar të ShBA-së.

Vjosa Osmani: Pritjet e mia janë që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtuquajtur ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit të bëhet bazë  e negociatave, ta kemi draftin tonë që është në përputhje të plotë me Kushtetutën, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, me qëndrimin e shkruar të ShBA-së, dhe siguron që nuk preket territorialiteti dhe integriteti i shtetit./Limit.al