Zgjedhjet e 14 Majit, Bledi Çuçi: Votohet dhe me kartë identiteti të skaduar

Të gjithë shtetasve shqiptar të cilëve u ka skaduar karta e identitetit apo do t’u skadojë deri në datën 14 maj, do të kenë mundësinë për të votuar në zgjedhjet vendore.

Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pas mbledhjes së Qeverisë.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi: Miratuam vendimin për shtyrjen e afatit të dokumenteve të identitetit të shqiptarëve, të cilat skadojnë në 14 maj. Eshtë një shtyrje që vjen si rezultat i një konsultimi me KQZ që mbart shqetësimet e partive politike. Duke parë numrin e madh të dokumenteve të identitetit që kanë skaduar apo skadojnë deri në datën 14 maj, vendosëm që ta shtyjmë afatin dhe në këtë mënyrë, të gjithë shtetasit mund të votojnë në datën 14 maj, pavarësisht se dokumenti i tyre i identitetit, ka skaduar.

Sot morëm edhe një vendim të rëndësishëm, për t’i hapur rrugë zbatimit dhe implementimit të strukturës së re të Policisë së Shtetit, duke miratuar të gjithë strukturën e gradave në qeveri. Tashmë, struktura që është miratuar, fillon zbatimin dhe është, besoj unë, një nga reformat më të mëdha strukturore që ka bërë Policia e Shtetit, sidomos për të adresuar pjesën e riorganizimit, apo ristrukturimit tërësor të policisë kriminale. Besoj që është një nga vendimet më të rëndësishme, edhe në zbatim të objektivave të  Ministrit të Brendshëm për 2023, në lidhje me rendin dhe sigurinë.

Eshtë një marrëdhënie kontraktore me kompaninë e cila mbaron në fund të korrikut të këtij viti. Dhe ne si qeveri, do përfundojmë kontratën dhe do të marrim në dorëzim të gjithë kompaninë e prodhimit të kartave. Pastaj, vendosja e çmimit, sigurisht, mbasi ne ta marrim në administrim këtë kompani, çështja e çmimit është një çështje që vendoset. Dhe jemi shumë më fleksibël për t’i vendosur dhe për t’i ndryshuar çmimet se sa më përpara, kur fiksohej me një kontratë të caktuar që miratohej me ligj, dhe do duhej që përveçse të negocioje me kompaninë, do të duhej të ndryshoje edhe ligjin. Kështu që jemi shumë fleksibël, dhe kjo jo domosdoshmërisht lidhet me ndryshimin e ligjit. Pa diskutim për dokumentet e identitetit do të shohim hapësirat tona për t’ia lehtësuar në maksimum shtetasve./Limit.al