“Babai dhe Babai” në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Me rastin e 27 prillit, datë kjo e cila shënon Ditën Kombëtare për Personat e Zhdukur me Dhunë, shfaqja ‘Babai dhe Babai’ do të jepet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Aktiviteti artistik do të organizohet nga Ministria e Drejtësisë, Kuvendi i Kosovës dhe Integra.

‘Babai dhe babai’ është shfaqja me skenar nga Jeton Neziraj dhe regji të Kushtrim Koliqit dhe është konsideruar si një ndër shfaqjet më të suksesshme të kohëve të fundit, duke u shpërblyer edhe me disa çmime nëpër festivale.

‘Babai dhe babai’ sjell bashkë në skenë aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.

Në dukje një dramë e zakonshme mbi sfidat e jetës së një familje, “Babai dhe Babai”, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…

Kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë! Pavarësisht palumturisë që na përplaset në fytyrë si ujë i ftoftë, pavarësisht ëndrrave që na e kujtojnë realitetin e vetmisë. Është një dramë për vetminë e thellë e për mërzinë që kullon dhimbje./ Limit.al