Elseid Hysaj “kërcënon” Interin: Nuk heqim dorë, duam fitoren ndaj një rivali direkt

Interi do të presë Lazion në fundjavë, në një përballje deçizive dhe tepër të rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi kjo sfidë mund të përcaktojë fatet për kualifikim për në Champions League sezonin e ardhshëm. Por ky takim, i vlefshëm për javën e 32-të të Seria A, pritet me mjaft interes, pasi një hap fals i skuadrës së Maurizio Sarrit dhe një fitore e Napolit ndaj Salernitanës, do t’i shpallte napoletanët matematikisht kampion të Italisë.

Ndërkohë një pikë kyçe e skuadrës nga kryeqyteti italian është edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Lojtari shkodran ka rifituar besimin e trajnerit dhe tani me Lazion është drejt përfundimit të një sezoni tejet pozitiv. Nëse Lazio vazhdon në këtë rrugë, atëherë Hysaj do të jetë vitin që vjen pjesë e Ligës së Kampioneve. Për të arritur këtë qëllim, ekipit roman i duhet të bëjë mirë në tetë takimet e fundit të kampionatit.

E pikërisht përpara ndeshjes ndaj zikaltërve, doli në konferencë për shtyp 29-vjeçari, i cili theksoi se nuk do të heqin dorë nga asgjë dhe do të hyjnë në fushë vetëm për fitoren.

Elseid Hysaj: Nuk heqim dorë nga asgjë. Ndaj Interit do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Ne i dimë aftësitë tona dhe do të shkojmë në këtë duel duke mos menduar për humbjen e pësuar përballë Torinos. Nuk mendoj se një ndeshje e keqe do të ndikojë në moralin e klubit, pasi kemi një skuadër me kualitet.

Është herët që të flasim për duelet direkte, pasi në lojë janë ende shumë pikë dhe nuk mund të bëjmë parashikime, sa i përket skuadrave që do të përfundojnë në katërshen e parë. Nëse do të bëjmë një tjetër llogari do të ishte më mirë. Duhet të bëjmë kujdes dhe të marrim ndeshjet një e nga një, pasi nga secili takim mund të marrim maksiumin./Limit.al