Conference League, Fiorentina me një këmbë në gjysmëfinale, Bazeli i Taulant Xhakës barazon me Nice

 

Fiorentina është shumë pranë kualifikimit për në gjysmë-finale të Uefa Conference League. ‘Violët’ arritën një fitore bindëse 1-4, në transfertën polake ndaj Lech Poznan. Për toskanezët shënuan Cabral dhe Gonzalez në pjesën e parë dhe më pas Bonaventura e Ikone shënuan edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë. Për vendasit, golin e nderit e realizoi Velde. Kjo ishte fitorja e 9-t radhazi në këtë kompeticion për skuadrën e Vincenzo Italianos.

Sfida mes belgëve të Gent dhe West Ham u mbyll në baraspeshë 1-1. Të parët që kaluan në avantazh ishin anglezët, në minutën e 3-të shtesë së pjesës së parë, me anë të Danny Ings. Vendasit barazuan shifrat në minutën e 57 me Cuypers. Kualifikimi mbetet të vendoset në Londër, të enjten e ardhshme.

Ndërkohë Basel-i i Taulant Xhakës barazoi në Zvicër ndaj Nice, me rezultatin 2-2. Amdouni realizoi dopietë për vendasit, ndërsa edhe Moffi shënoi një dygolësh për francezët.

Në ndeshjen tjetër të turneut, Anderlecht mundi me shifrat 2-0 AZ Alkmaar./Limit.al