Ndjekja e një diete të pasur, duke përfshirë konsumimin e një game të gjerë ushqimesh të shëndetshme na ndihmon të përballojmë ditën me energji, të jemi më pak të prekshëm nga sëmundjet e ndryshme,etj. Por nga ana tjetër, abuzimi me ushqime jo të shëndetshme ndikon në shfaqjen e problemeve shëndetësore dhe na bën më të prekshëm nga sëmundjet e ndryshme. Specialistë të ushqimit, si: mjekë, nutricionistë e dietologë kanë etalone të mirëpërcaktuara në përkufizimin e ushqimeve që konsiderohen të shëndetshme dhe që japin benefite për organizmin.

• Çfarë duhet të konsumojmë?

• Cilat janë ushqimet që duhet të përmbajë shporta ushqimore?

Kjo është pyetja që bëjmë e ndeshim çdo fillim dite. Pyesim veten se çfarë do hamë, teksa nxitojmë të shkojmë në punë apo në shkollë. Shpeshherë, për mungesë kohe ose për neglizhencë, bëjmë zgjedhje të gabuar. Strategjia për të pasur një shëndet të mirë udhëhiqet nga motoja “ ha ylberin”. Kjo strategji bazohet në një dietë të pasur me shumëllojshmëri produktesh, perimesh e frutash duke u përpjekur të shmangë rutinën ose zakonin e gabuar të ngënies së një numri të kufizuar ushqimesh. Në larmishmërinë e ngjyrave të frutave dhe perimeve gjejmë dhe larmishmërinë e vitaminave, mineraleve, antioksidantëve dhe fitokimikateve që kanë një vlerë të çmueshme për shëndetin tonë.