Një çerek shekulli më pas, dhimbja që lanë masakrat serbe ndajshqiptarëve të Kosovës vijon të mbetet e thellë. Shteti serb nuk i ka pranuar ende krimet e kryera prej tij mbi civilët shqiptarë dhe vazhdon të dizinformojë opinionin publik ndërkombëtar pëngjarjet e Luftës së Kosovës, duke pretenduar se qenë shqiptarët që kryen krime.

Në këtë kontekst, studimet që faktojnë të vërtetën e ngjarjeve të ndodhura në Kosovë janë domosdoshmëri. Dy studime të tilla u promovuan më 23 shkurt në Zagreb, me iniciativën e Deputetes shqiptare në Parlamentin Kroat, Ermina Lekaj Perlaskaj. Ajo i priti miqtë nga Kosova dhe organizoi një drekë pune me ta në Parlamentin e Kroacisë. Ky rast shërbeu për t’i njohur Parlamentarët kroatë më nga afër me krimet dhe masakrat e dokumentuara në të dy librat.

Kësaj iniciative iu bashkuan edhe Shoqata e Shqiptarëve të Qytetit të Zagrebit dhe Qarkut të Zagrebit, Bashkësia Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Ambasada e KosovësAmbasada e Maqedonisë së Veriut, Ambasada e Shqipërisë dhe pjesëtarë të pakicës shqiptare në Kroaci.

Para promovimit në Pallatin e Shtypit në Zagreb, miqtë nga Kosova vizituan edhe Ambasadën e tyre, ku u pritën nga Ambasadori Martin Berisha. Autorët e librave dhe botuesi i tyre u pritën nga Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Milaim Fetai dhe nga një përfaqësues i Ambasadës së Shqipërisë në Zagreb.

Miqtë nga Kosova në këtë udhëtim të shenjtë u shoqëruan edhe nga Drejtori Ekzekutiv i shoqatës “Krahë që Bashkohen”, Arbër Lushaj dhe nga anëtarë të tjerë të kësaj shoqate. Gjatë takimeve me mysafirët, “Krahë që Bashkohen” foli për aktivitetin e vet dhe për vizionin që të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet trojeve shqiptare në Ballkan. Me këtë rast, Drejtori Ekzekutiv Lushaj u bëri Ambasadorëve një dhuratë simbolike që kishte të stampuar stemën e shoqatës.

Dy librat e promovuar qenëKrimet Serbe në Deçan” nga Adem Lushaj dhe “Krimet Serbe në QKUK” nga Dr. Salih Krasniqi. Lushaj në librin e tij flet për masakrat ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999. Ai e shkroi librin në gjuhën angleze për t’ia bërë të njohur botës tragjedinë e popullit të Kosovës, e në veçanti ka paraqitur rrënimet e zonës së Deçanit.

Ndërkohë Krasniqi në librin e vet ka paraqitur emrat dhe fotografitë e viktimave, 136 prej tyre nga gjithsej 1300 persona që u goditën nga terrori serb, si dhe dëshmitë e njerëzvearritën t’i shpëtojnë tmerreve të luftës. Më konkretisht, libri i Krasniqit ekspozon krimet e luftës nga policia dhe ushtria serbe kundër pacientëve dhe personelit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë periudhës 1989 – 1999.

Për librat folën botuesi i tyre, Ramiz Tafilaj nga Jalifat Publishing dhe autorët e librave. Gjithashtu pjesëmarrësit vizituan një ekspozitë me piktura dhe panele nga Dr. Salih Krasniqi të titulluar “Si e vranë kodin etik të Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare?”

Për t’i bërë jehonë më të madhe aktivitetit promovues, përfaqësuesit e Jalifat Publishing dhe të “Krahë që Bashkohen” u shoqëruan edhe nga Shkëlqesia e Tij, Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai foli për kohën e luftës dhe gjithashtu për Deçanin e kohës së paqes dhe pavarësisë.

Duhet theksuar se delegacioni nga Kosova, për shkak se ishte nisur të promovonte dy libra për masakrat serbe të luftës, u detyrua ta shmangte kalimin nëpër Serbi dhe prandaj të bënte 2400 km rrugë vajtje-ardhje. Ky fakt dëshmon edhe njëherë tjetër se Serbia nuk është gati t’i pranojë krimet dhe masakrat e kryera prej shtetit dhe qytetarëve serbë ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Librat e Lushajt dhe Krasniqit, të botuar nga Jalifat Publishing, përveç vlerës ndërgjegjësuese kanë edhe vlerë juridike, pasi tashmë po përdoren si dëshmi nga avokatët mbrojtës në Gjykatën e Hagës.

Klementin Mile