Luftëra dhe tërmete – Pse dhembshuria jonë dikur mpihet

Nga Fred Schwaller

Një vit luftë në Ukrainë, tërmete të tmerrshme në Turqi dhe Siri. Pamjet e frikshme na ndjekin. Në një moment shumë njerëz nuk durojnë më dot lajme të tjera fatkeqësish. Ata dikur topiten.

Nga një moment i caktuar shumë nga personat e papërfshirë nuk mund ta përballojnë më vërshimin e lajmeve të këqija. Ata nuk duan më të lexojnë informacione për luftën, shkatërrimin, katastrofat dhe mjerimin njerëzor dhe nuk duan as të shohin më foto të tyre. Ndjehen të mbingarkuar, megjithëse vetë janë në siguri. Ky fenomen ka një emër. Lodhja nga keqardhja është një përgjigje e natyrshme ndaj vuajtjes së tepërt të të tjerëve. Por studiuesit pajtohen në një pikë, se empatia e humbur mund të rikthehet. “Këtë e kam ndjerë pas pushtimit të Ukrainës”, thotë Jessica Roberts, profesore asistente për shkencat e komunikimit në Universidade Católica Portuguesa në Lisbonë. “Kur dëgjova për herë të parë për mizoritë, u tmerrova, por më vonë dëgjova për një qytet tjetër [që u prek] dhe reagimi im nuk ishte më aq ekstrem”. Lodhja nga keqardhja nuk ka pse të jetë e përhershme. Siç shkruan Susan Sontag në esenë e saj të vitit 2003 „Duke parë dhimbjen e të tjerëve” (titulli në origjinal “Regarding the Pain of Others”): “të ndjesh me të tjerët është një emocion i paqëndrueshëm. Ai duhet të kalojë në vepra, përndryshe atrofizohet”. Atëherë si mund ta vëmë në veprim dhembshurinë? Ndjenja e dhembshurisë mund të lodhet, por ajo edhe mund të rifitohet.

Ukraine Krieg Kämpfe um Bachmut

Dhimbja për vuajtjet e të tjerëve mund të atrofizohet

Lodhja me mëshirën dhe pandjeshmëria ndaj dhunës

Brad Bushman, studiues i mediave në Universitetin Shtetëror të Ohajos në SHBA, ka kryer eksperimente lidhur me këtë. Ato tregojnë, se si dhuna në formate të ndryshme të mediave digjitale, si videolojërat dhe filmat, mund t’i desensibilizojë njerëzit ndaj vuajtjeve të të tjerëve ose ndaj dhunës në jetën reale. Një pjesë e 320 studentëve, që morën pjesë në studimin e kryer nga Bushman dhe kolegët e tij, luajtën për 20 minuta videolojëra të dhunshme, të tjerët me video jo të dhunshme. Pas lojës pjesëmarrësve iu kërkua të plotësonin një pyetësor. Ndërkohë ata dëgjuan se si jashtë në korridor shpërtheu një sherr i madh.

“Në fakt ai ishte një filmim aktorësh profesionistë, që rriheshin. Ne kishim edhe një ndihmës jashtë dhomës, që godiste koshin e plehrave dhe filloi të gulçonte”, tregon Bushman. Studiuesit bënë matjen se sa kohë iu desh pjesëmarrësve për të ndihmuar asistentin që rënkonte. Mesatarisht pjesëmarrësve, që luajtën lojën pa dhunë, iu deshën 16 sekonda ndërsa pjesëmarrësve, që luajtën lojën e dhunshme, iu deshën 73 sekonda për të nxituar që t`i vinin në ndihmë personit, që mendohej se ishte plagosur.

Përpos kësaj, thotë Bushman, ata që luajtën lojën e dhunshme, e vlerësuan luftën si më pak serioze sesa ata, që luajtën lojën jo të dhunshme. Por do të ishte shumë e lehtë, që nga kjo të arrihej në përfundimin, se video lojërat e dhunshme shkaktojnë dhunë. Megjithatë në eksperimentet e Bushman-it dukej se, të paktën përkohësisht, ato ndryshonin përgjigjet e pjesëmarrësve ndaj dhunës në botën reale. “Rrjedhoja është, se kur sheh imazhe të dhunshme humbet sensibilitetin dhe mendon se dhuna nuk është ndonjë gjë e madhe. Në botën reale kjo ju bën më pak të prirur për të ndihmuar një viktimë të dhunës”, thotë Bushmann.

DW Thumbnail l Opfer von Kriegsverbrechen l Protest vor der russischen Botschaft in Berlin

Videolojërat mund t’i desensibilizojnë njerëzit ndaj vuajtjeve të të tjerëve ose ndaj dhunës

​​​Lodhja nga keqardhja është një formë e mbrojtjes emocionale

Sipas Bushman mekanizmi psikologjik, që qëndron në themel të lodhjes nga keqardhja, është desensibilizimi. “Është një lloj filtri emocional, që na mbron, që vuajtja të mos bëhet aq stresuese apo traumatike për t’u menaxhuar”, thotë Bushman.

Desensibilizimi ndaj imazheve të dhunshme mund të vërehet edhe nga mënyra, se si njerëzit reagojnë fizikisht ndaj stresit. “Nëse mat reagimin kardiovaskular ose rrymat në tru, do të zbulosh se reagimet e shokut fiziologjik ndaj imazheve të dhunshme janë dobësuar te njerëzit, që sapo kanë luajtur një videolojë të dhunshme”, thotë Bushman.

Por, vazhdon Bushman, desensibilizimi ndaj dhunës dhe traumës mund të jetë një strategji e rëndësishme përshtatjeje për njerëzit, që shpesh përballen me ngjarje traumatike në punë, si ushtarët, punonjësit e ndihmës për zhvillimi, apo mjekët. Problemi është, kur këtë desensibilizim e gjejmë te popullata “normale”. “Kjo përshtatje është një nga mekanizmat, që nxit agresionin dhe dhunën në shoqëri”, shpjegon Bushman. Ai u referohet rezultateve të hulumtimit, që tregojnë se si konflikti në Izrael dhe Palestinë e përshkallëzon dhunën mes fëmijëve.

Lodhja nga dhembshuria ndaj refugjatëve

Jasmin Aldamen nga Universiteti Ibn Haldun në Stamboll tregon rrezikun se lodhja nga keqardhja mund të çojë në më shumë dhunë dhe gjuhë të urrejtjes në shoqëri. Hulumtimi i Aldamen fokusohet në efektet e lodhjes nga keqardhja dhe raportimet negative të mediave për refugjatët sirianë në Turqi dhe Jordani. “Ne kemi konstatuar, se sjellja e pamjeve dhe mesazheve negative për refugjatët në media, bën që audienca të humbasë ndjeshmërinë për ta apo edhe t`i urrejë refugjatët”, thotë Aldamen.

Ukraine | Krieg | Charkiw | Serhiy Bohdanovskyi

Desensibilizimi ndaj dhunës dhe traumës – strategji e rëndësishme përshtatjeje

Për fat të keq kjo nuk është as e re dhe as befasuese. Dhuna kundër refugjatëve dhe emigrantëve ka ekzistuar, që kur njerëzit kanë ikur nga konfliktet dhe janë zhvendosur. Por e reja është, se sa shpejt mediat e ndryshme mund të çojnë te lodhja nga keqardhja dhe respektivisht te gjuha e urrejtjes dhe racizmi.

Ne e shohim këtë vazhdimisht, kur refugjatët ikin nga talebanët në Afganistan, gjatë krizës në Ukrainë dhe me refugjatët, që përpiqen t’u shpëtojnë konflikteve dhe ndryshimeve klimatike në Afrikën e Veriut. “Ka prova se pas një fatkeqësie njerëzit me kalimin e kohës japin më pak ndihmë, kështu edhe në rastin e tërmeteve në Turqi dhe Siri”, thotë Jessica Roberts nga Universidade Catolica Portuguesa.

Lodhja nga keqardhja mund të ndryshohet

Megjithatë sipas Roberts dhe Aldamen lodhja nga keqardhja mund të ndryshohet. Të dy besojnë se dhembshuria mund të rikthehet me kalimin e kohës. “Ne mund të përdorim mediat sociale për të krijuar ndjeshmëri dhe dhembshuri midis njerëzve. Në kërkimin tonë ne shqyrtuam ”Njerëzit e Nju Jorkut” (titulli  në origjinal “Humans of New York”). Aty një burrë fokusohet në historitë pozitive nga jeta e njerëzve dhe jo në traumat e tyre. Kjo ndihmoi për të krijuar empati të madhe”, thotë Roberts.

Aldamen merr një qasje të ngjashme. Ajo u bën thirrje mediave dhe njerëzve në mediat sociale, që të ndryshojnë mënyrën se si portretizojnë refugjatët dhe grupet e tjera të cënueshme të popullsisë. “Studimi im rekomandon që raportimi për krizën e refugjatëve sirianë [dhe kriza të tjera] të shihet nga një këndvështrim më humanist. Mediat duhet të tregojnë disa nga historitë më pozitive nga kriza e refugjatëve. Kështu ata garantojnë që njerëzit të mos fillojnë të zhvillojnë lodhjen nga keqardhja për shkak të historive tragjike”, thotë Aldamen.

Po ashtu është e rëndësishme, që artikujt informativë të inkurajojnë veçanërisht individët ose politikëbërësit për të ndërmarrë veprime. Kjo nuk i bën më lexuesit thjesht vëzhgues të një situate, që ata e konsiderojnë të pazgjidhshme.