TRADHTIA S`KA BRIRË!

IDRIZ ZEQIRAJ

     Shqiptarët e Kosovës ishin minoritet, pakicë kombëtare në ish-Jugosllavi. Trajtimi brutal policor ishte normë. Survejimi, përndjekja, edhe për gjërat më banale, cilësoheshin politike, duke filluar nga Shkolla 8-vjeçare, sidomos të mesme e fakultet. Çfarëdo literature, e botuar jashtë vendit, ishte blasfemi. Andaj edhe ndjekja ishte primitive, çnjerëzore.
     Pikërisht për këtë, nga ky shembull kriminal, tashmë, raporti ka ndryshuar dhe assesi nuk duhen kopjuar pararëndësit, sepse bëhemi si ata. Përkundrazi, Kosova, si shtet demokratik, duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, ngjyrës dhe bindjeve të tyre politike. Mjafton të jenë në rregull me ligjet vendore, ku pjesë e hartimit, të votimit dhe mbikëqyrës aktual janë edhe pakicat, edhe pse përbëjë vetëm 6 % të popullatës vendore.
     Edhe nëse këto të drejta për minoritetet, janë më të avancuarat në rajon, shqiptarët që kanë vuajtur për një shekull e gjysmë, pikërisht nga serbët, duhet të kapërdijnë shumçka, për hirë të bashkëjetës fqinjësore, duke i tajtuar minoritetet me dinjitet dhe pa asnjë diskriminim. Shqiptarët duhet të përligjin edhe ndoca të drejta shtesë për minoritetet, qoftë në infrastrukturë, ekonomi dhe fusha të tjera, që nuk prekin organizimin politik shtetëror dhe nuk pengojnë zhvillimin normal të jetës institucionale. Dhe, assesi kompetenca si -pushtet i tretë-.
     Paradoksi i Asociacionit i shokoi shqiptarët e Kosovës dhe të botës. Ndërkombëtarët, perkatësisht, Qendrat e Vendosjes, imponuan “Kosovën shtet multietnik”, me 6 % pakicë jo shqiptare! Rast unik në botë! Tani kërkojnë “Asociacion monoetnik!” Shqiptarët thonë: “Këtë krijesë artificiale, nuk e lejon Kushtetuta e vendit”. Ndërkombëtarët thonë: “Kushtetuta nuk është Bibël, ndryshojeni!?!”
     Me urdhër të Beogradit, bandat e gatshme në Veriun e Kosovës, i vunë barrikadat. Borrell i BE-së u kujtoi EULEX-it dhe KFOR-it, se kanë për detyrë vetëm vëzhgimin, por jo edhe ndërhyrjen. Escobar “çliroi katramën e dytë” në favor të Serbisë: “Barrikadat janë normale!?!” Pas këtyre deklaratave, rrast provokative për shtetin e Kosovës, pasoi dyfishimi i barrikadave, përfshi edhe bllokimin e rrugëve dytësore. Presidenti Vuçiq e rriti çmimin: “Nuk ka dialog pa krijimin e “Zajednicës”! Dhe, ndërkombëtarët ia “bënë aminin”, duke e vënë Asociacionin si agjendë të parë, edhe pse nuk është përmendur fare në kornizën-platformë, të plasuar nga franko-gjermanët!
 
        10 komunave serbe, t´u bashkohen edhe komuna e Mamushës dhe Dragashit
    1) Zhbërja me votim në Kuvend. Por, kjo edhe nëse mundësohet pa 2/3 e votave të minoriteteve, do të merrej si vendim mujëshor, duke pasur shumicë absolute të deputetëve shqiptarë. Rrjedhimisht, e papranueshme për ndërkombëtarët.
     2) Përmes inicimit të doktrinës të njohur ligjore ndërkombëtare, Clausula “Rebus Sic Stantibus”, e cila mundëson shfuqizimin, prishjen e një kontrate, marrëveshje ndërshtetërore. Dhe, kjo bëhet kur rrethanat kanë ndryshuar dhe zbatimi i saj dëmton skajshëm shtetin. Kjo doktrinë është përdorur në rastin e një kontesti në mes të Anglisë dhe Islandës.
      Nënshkrimi i Asociacionit është bërë në kushtet e një shantazhi faktik, me dosje krimesh serike, të kundërshtarëve politikë, të bëra nga komandantë, nën akronimin “UÇK-së”, për qëllime të marrjes të pushtetit me dhunë dhe të përfitimit material. Ndaj eksponentëve nënshkrues të Asociacionit, përkatësisht, të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, në vitin 2013 dhe 2015, duhet të ngrihet akuzë, qoftë edhe formalisht, për tradhti ndaj Atdheut – Kosovë. Dhe, kjo e shfuqizon Marrëveshjen në fjalë, sepse nënshkrimi ka qenë ilegal, pa konsultuar as strukturat e partisë dhe as institucionet shtetërore.
     3) Minoritetet tjera në Kosovë: turqit, boshnjakët, romët me degëzimet e tyre, kundërshtojnë çfarëdo asociacioni njëetnik. Sepse krijimi i një asociacioni të tillë për serbët, lënë të hapur konfliktin, deri në luftë të përgjakshme. Rrjedhimisht, ndjehen seriozisht të kërcënuar, të rrezikuar, duke parë e njohur makabritetin e
sivëllezërve të tyre sllavo-rusë, mbi popullin e pafajshëm dhe të pambrojtur në Ukrainë, edhe pse kanë një afri biologjike, sllave.
     Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, përfaqësuese e komunitetit boshnjak, kundërshton ashpër Asociacionin monoetnik, si absolutisht të papranueshëm. Në mes tjerash, ajo deklaron: “Pra, ata s’e kanë ratifikuar dhe sipas Gjykatës Kushtetuese, e cila disa nene i ka shpallur jokushtetuese, pra ka shumë hapësirë për korrigjim të këtyre gjërave dhe natyrisht që qeveria jonë s’ka për të lejuar të themelohet një tjetër Republikë Serbe brenda shtetit tonë, e cila që në fillim diskriminon multietnicitetin dhe diskriminon komunitetet tjera”. Reagim i qartë, bindës e fisnik.
     Për t`iu shmangur shkeljes së Kushtetutës, njëherësh për të plotësuar ngulmimin alogjik të ndërkombëtarëve, për një “biçim” Asociacioni, atëherë të shihet mundësia e krijimit të Asociacionit të Minoriteteve të Kosovës. Arsyetimi: Me qëllim të mbrojtjës të drejtave të tyre, të garantuara me Kushtetutën vendore, e cila konsiderohet nga më zemërgjërat, për minoritetet në Ballkan e më gjerë. Pra, 10 komunave me shumicë serbe, që janë turpi i BE-së dhe i Ahtisarit, sepse 96 % e popullsisë të Kosovës kanë 27 komuna, ndërsa 4 % e serbëve kanë 10 komuna!!!
     Atëherë, Kosova multietnike, për të shmangur Asociacionin monstrum monoetnik serb,10 komunave ekzistuese serbe, t`u bashkohen edhe dy komuna, me shumicë minoritare, kryesisht, turkë e boshnjakë, siç është komuna e Mamushës dhe ajo e Dragashit. Në këtë mënyrë do të kishim Asociacionin numër 2 të komunave në Kosovë, me statusin e njëjtë që ka Asociacioni fillestar i Kosovës. Si garanci, lë të bëhet edhe një monitorim i përhershëm ndërkombëtar, për mbikëqyerjen e zbatimit të të drejtave të minoriteteve në shtetin e Kosovës.
 
 
        Drejtësia burokratike dhe fiktive e dy Gjykatave Ndërkombëtare në Hagë
     Përndryshe, të gjitha “siguritë” ndërkombëtare, qofshin ato edhe amerikane, “bien në ujë”, derisa ndërkombëtarët tolerojnë kriminelin Dodik, me “Republika Srpska”, si krijesë fashizoide të Dejtonit, të cilën nuk arrijnë ta zhbëjnë!? Dhe, populli i Bosnjës dhe Hercegovinës jeton në ethe, të përsëritjes të Srebrenicave tjera. Ndërkohë që, Gjykata e Hagës dje, dhe Gjykata Speciale sot, dënojnë nga 4 apo 5 kriminelë, për vrasjen, masakrimin e mijëra qytetarëve të pafajshëm!?! Disa qindra kriminelë faktikë, në Serbi, Bosnje, Kosovë bredhin të lirë, kanë edhe statusin e “veteranit”, edhe pse dosjet e krimeve të tyre janë të gatshme, me dëshmi varret masive dhe shumë qindra dëshmitarë.
     Krejt ndryshe ndodhë me drejtësinë, në shtetet e atyre prokurorëve e gjyqëtarëve, që bëjnë “drejtësinë” ndërkombëtare në Hagë. Shembullojmë: Në SHBA, 5 (pesë) lojtarë të “Ragbi-së”, vranë një koleg të tyre. Javën e shkuar u dënuan të 5-të me burg të përjetshëm dhe 3 (tre) të tjerë, të cilët ishin në dijeni, u dënuan me nga 15 vjetë burg. Kësaj i thonë drejtësi e mirfilltë, ku jeta e njeriut vlerësohet maksimalisht.
     Respektimii Kushtetutës së vendit, është shënjtëri. Ia kujtojmë emisarit Escobar dhe atyre të BE-së, se për 200 metra tokë kufitare të kontestuar, Amerika me Kanadanë, kanë 200 vjetë mospajtim dhe ende nuk kanë gjetur zgjidhje. Finlanda i kërkon Norvegjisë 18 metra tokë, në një maje mali, për t`i këmbyer me po aq metra tokë, në një vend tjetër. Dhe, është Kushtetuta norvegjeze, e cila e pamundëson çfarëdo tjetërsimi tokësor.
     Atëherë, çfarë logjike ka që Kosova t`i falë Serbisë, armike shekullore, 14 % të territorit të saj, edhe ashtu të tkurrur dhunshëm, duke filluar nga Kongresi i Berlinit 1878 e këtej?!
     Mendoj se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë një llogari sa të saktë, aq edhe domëthëse: “Pavarësisht ashpërsisë të kërcënimit të ndërkombëtarëve, me saknksione, në rast të refuzimit të themelimit të Asociacionit monoetnik, në një Kosovë multietnike, mendoj se asnjë lloj sanksionimi, nuk mund të jetë më i rëndë, se sa vet bërja e Asociacionit!” Më qartë e bindshëm nuk ka si të thuhet.
 
 
          Opozita oscilon në mes të hipokrizisë dhe tradhtisë
     Çfarë po ndodhë në Kosovën tonë me opozitën?! Ndryshe thonë e ndryshe veprojnë. Janë brenda vorbullës të hipokrizisë dhe të tradhtisë. Tashmë, disa syrësh i hoqën maskat. Thonin se çështja e Asociacionit i përket vetëm Qeverisë. Ndërkohë, nga Amerika folën në vetën e parë: “Të themelohet Asociacioni për komunat me shumicë serbe”, duke dobësuar rezistencën, pothuajse, gjithëpopullore, që ka bindjen se një Asociacion monoetnik, është një “Republika Srpska”, është bosnjizim, i cili e bënë Kosovën shtet rakitik, jofunksional, bllokues. Pra, e parathotë ndarjen e nesërme të veriut të Kosovës. Dhe, tradhtia s`ka brirë!
     Shefi i AAK-së na ka thënë se e ka mbyllë çështjen me drejtësinë?! Por, me veprimet, siç thoshte Kurti “Amelika-Amelika”, (që nuk nënkupton asgjë të keqe për Amerikën, por u referohej servilëve e  hipokritëve në atë kohë), po dëshmon se ai nuk i ka mbyllë telashet me drejtësinë dhe vazhdon të jetë i shantazhuar dhe aq më pak me shqiptarët. Këtë hall e kanë edhe disa të tjerë, që marrin pafajësinë te Komani në Gjakovë e festojnë me kallashë, diku tjetër në Kosovë!
     Eksponentët e PAN-it, me SHIK-un e tyre kriminal, rezultojnë të jenë të një mendje, me shefin e tyre, Hashimin, i cili edhe pse e quante “Asociacionin kancer të Kosovës”, ai lobonte, madje me pagesë, për ndarjen e Kosovës. Ai ishte i shantazhuari i shumëfishtë, nga Serbia dhe dhëndurët e saj në Francë e gjetkë. Dhe, e kishim lutur Hashimin të lirohet nga postet, për të shpëtuar nga shantazhimi me dosje vrastare, ashtu siç e kemi lutur edhe Isa Mustafën, ta lërë kryesimin e LDK-së, për ta hequr qafe SHIK-un vrasës e zullumqar të PAN-it.
     Deklarimet e eksponentëve të PAN-it, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, një gjetje e qëlluar e kryeprokurorit amerikan të Specialës, Xhack Smith, dëshmojnë për kapjen e tyre, për krimet serike vrastare e hajnore, të gatshëm, për të pranuar gjithçka në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë. Ata, krejt të çakorduar e konfuzë, pranojnë Asociacionin, por mohojnë Kornizën franko-gjermane. Mjafton të jenë të kundërt me Kurtin, i cili refuzon Asociacionin dhe pranon, pjesërisht, Kornizën, duke dhënë edhe 6 (gjashtë) vërejtjet fillestare.
     Shumë i përfoluri për kolaborim me armiqtë e Kosovës, qofshin të huaj apo vendorë, vite me radhë, ishte dhe mbeti zëdhënës i Serbisë, i gardës komuniste të Tiranës, Hashimit, dreqit dhe të birit, Baton Haxhiu. Ramë Buja me shokët SHIK-as të PAN-it, i cili e vulos se “për 800 mijë vjetë veriu i Kosovës ka humbur!” Disa ambasadorë lobues, shefa të Integrimit, tellallë si Molliqaj me shokë; vegla e PDK, Valon Murati, Pacolli, horrakët “analistë” të televizioneve të pushtuara nga PAN-i dhe e gjithë llumhanja sahanlëpirëse kundra-kombëtare.
     Së fundi, ka shkëlqyer në opozitarizëm edhe një ish-ministër i LDK-së, i cili, së bashku me një kryeministër të AAK-së, janë mëshiruar me votat serbe, për qeverisjen e tyre. Jo me kot thonë: “E mira shpërblehet me të mira”. Andaj, janë gadi të kontribuojnë me aprovim për Asociacionin! Ish-shefi i tij, dikur kryeministër, së fundi, u dha sinjal për votim klanorëve të tij deputetë se “marrëveshjet që unë i nënshkruaj, i zbatoj”.
     Dhe, përgjigjën e pati të gatshme, ish vartësi i tij. Nga “Zëri i Amerikës” deklaroi: “Nuk ka modele tjera, modeli është shkruar dhe nënshkruar dhe duhet zbatuar!” Vërtet, a mendon kështu edhe udhëheqja, premtuese e reformave në LDK-e?! Nëse jo, duhet të distancohet nga kolegu deputet. Përndryshe, zhgënjimi do të ishte shqetësues.