Tjetër medalje për Lara Colturi, skiatoren që garon për Shqipërinë

Lara Colturi mori një tjetër medalje në Kampionatin Botëror për të rinj që po mbahet në St. Anton të Austrisë. Skiatorja e Shqipërisë u rendit e treta në garën e Slalomit Gjigant, duke merituar bronzin në garën e zhvilluar të shtunën. Pas zbritjes së parë që nuk shkoi edhe aq mirë, Lara u përmirësua në të dytën ku pjesa më e madhe e rivaleve nuk arriti ta përfundonte. 16-vjeçarja u ngjit 8 pozicione më lart.
“Isha pak e lodhur në provën e parë dhe pastaj fola me babanë tim se si mund të isha më e shpejtë tek e dyta dhe ia arrita”.
Kjo ishte edhe gara e fundit për këtë aktivitet për Lara Colturi, që do të vijojë me turin e Kupës së Botës në Kronplatz të Italisë. Colturi u shpall të premten kampione Bote për të reja në disiplinën e Super Gjigantit. Skiatorja tjetër e Shqipërisë, Chiara Di Camillo u rendit e 41 mes 91 konkurrenteve. Shqipëria përfaqësohet në Botërorin të rinjve edhe me Denni Xhepën dhe Kevin Qerimin.