Arbitrimi është në evolucion e sipër dhe së fundmi një tjetër risi do të prezantohet në Botërorin e klubeve gjatë vitit të ardhshëm. Arbitrat do të shpjegojnë vendimet e tyre direkt pas marrjes në mikrofon, ku mund ta dëgjojë i gjithë stadiumi dhe ata që shohin nga televizioni.

Aktualisht kjo mënyrë arbitrimi aplikohet në NFL-në amerikane dhe risia synon të detyrojë arbitrat që të sqarojnë me mikrofon arsyen e vendimit të tyre, për të qartësuar të gjithë të pranishmit në stadiume dhe për të ulur sa më shuma aludimet apo protestat e kota.

Pas Botërorit të klubeve, rregulli i ri do të aplikohet edhe në disa turne të tjerë, kryesisht të moshave. Nëse gjithçka do të shkojë me sukses, atëherë do të marrë formë zyrtare. I vetmi problem për momentin është gjuha, pasi në turnetë ndërkombëtare arbitrat vijnë nga vende të ndryshme.