Frontex: 45% e migrantëve të parregullt kaluan nga Ballkani drej Europës në 2022

Rruga e Ballkanit Perëndimor përbënte gati 45% të totalit të migrantëve të parregullt që u ndaluan në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian gjatë viti 2022, tha përmes raportit më të fundit vjetor Agjencia evropiane e Ruajtjes së Kufijve , FRONTEX.

Rreth 145. 600 kalime të parregullta kufitare u raportuan në itinerarin e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria , të cilat përbënin rreth 136% më shumë se në vitin 2021.

Raporti i FRONTEX-it pohon se ky është numri më i lartë i kalimeve të parregullta të raportuara në këtë rrugë që nga viti 2015.

Sipas raportit të FRONTEX shtetasit e Sirisë, Afganistanit dhe Turqisë përbënin numrin më të madh të migrantëve të parregullt, por u raportuan gjithashtu kombësi që më parë kishin qenë pak në këtë rrugë, si tunizianët, indianët dhe burundistët.

Në vitin 2022, sipas përllogaritjeve paraprake të FRONTEX , rreth 330 000 kalime të parregullta kufitare u zbuluan në kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian nga të gjitha rrugë-kalimet duke shënuar numrin më të lartë të migrantëve që nga viti 2016 dhe një rritje prej 64% nga viti i kaluar.

Sipas raportit sirianët, afganët dhe tunizianët së bashku përbënin 47% të migrantëve të parregullt në vitin 2022.

“Pas nivelit të ulët të shkaktuar nga pandemia në vitin 2020, ky ishte viti i dytë me radhë me një rritje të madhe të numrit të hyrjeve të parregullta, vlerëson raporti I FRONTEX.

Gratë përbënin më pak se një në dhjetën e migrantëve , ndërsa përqindja e të miturve të raportuar ra krahasur me vitin e shkuar në rreth 9 përqind.

Siaps FRONTEX rreth 13 milionë refugjatë ukrainas u llogaritën për hyrjen në kufijtë tokësorë të jashtëm të BE-së nga Ukraina dhe Moldavia midis 24 shkurtit 2022 deri në fund të vitit, të cilët nuk përfshihen në këto shifra. Në të njëjtën periudhë, 10 milionë shtetas ukrainas u raportuan në dalje në të njëjtat seksione kufitare.

Ndërkohë në Kanalin Anglez, sipas FRONTEX u evidentuan gjatë vitti 2022 mbi 71 000 kalime të parregullta kufitare në dalje, duke përfshirë përpjekjet dhe kalimet e suksesshme.

Raporti pohon se mbi 50 kombësi të ndryshme të migrantëve të parregullt u regjistruan në Kanal, shumica prej tyre nga Lindja e Mesme, Shqipëria dhe Briri i Afrikës.