Fotografë të natyrës nga e gjithë bota sollën përmes fotografive vizionin e tyre për planetin Tokë që po ndryshon vazhdimisht, në një konkurs të financuar nga organizata jofitimprurëse mjedisore Mbrojtja e Natyrës. Fotografitë nxjerrin në pah bukurinë dhe disa nga problemet mjedisore të planetit tonë.

Pikat e vesës shkëlqejnë si diamante mbi këtë lule të purpurt.

Një hardhucë duke shijuar ngrohtësinë e diellit në një fushë me turbinat e prodhimit të energjisë nga era.

Dhe një fotografi me dron në një autostradë të izoluar në Tibet tregon një figurë që i ngjan një peme, të krijuar nga erozioni.

Këto janë disa nga imazhet e realizuara nga fotografët që kapin aspekte unike të natyrës, me shpresën për të rritur ndërgjegjësimin për bukurinë dhe brishtësinë e planetit tonë në ndryshim.

Këto fotografi janë në mesin e fituesve në konkursin e organizatës jofitimprurëse Mbrojtja e Natyrës.

Konkursi tërhoqi 100 mijë fotografi nga 196 vende dhe rajone.

“Ky konkurs sjell fotografët e botës në ekranet e kompjuterëve tanë. Ne mund të shohim çdo cep të globit nga këndvështrimi i një personi tjetër”, thotë Alex Snyder nga organizata Mbrojtja e Natyrës.

Florian Ledoux kapi me aparatin e tij një ari polar duke ushqyer këlyshët e saj në një vendbanim të braktisur rus pranë një miniere qymyri në Norvegji.

“Për mua ky imazh është një deklaratë se në të ardhmen, shoqëria jonë mund të shkatërrohet. Dhe kafshët, kafshët e egra, natyra do të vazhdojnë të ekzistojnë”, thotë ai.

Coyote Peterson, anëtar i jurisë së konkursit dhe drejtues i programit “Brave Wilderness” në YouTube, zgjodhi imazhin e fotografit Ledoux.

“Çdo aspekt i imazhit përçon një mesazh tepër të fuqishëm. Një kafshë bën gjithçka që është e nevojshme për të mbijetuar. Sfondi nuk ka rëndësi për një kafshë që kujdeset për të vegjlit e saj. Ajo po kujdesej për këlyshët e saj dhe kjo për mua ishte shumë mbresëlënëse”, thotë ai.

Realizimi i fotografisë së këtij leopardi që mban në gojë një majmun të mbytur femër me foshnjën e saj ende të gjallë në gjoks ishte një përvojë tronditëse për fotografin Shafeeq Mulla nga Zambia.

“Kur e publikova për herë të parë këtë foto në Instagram, mora shumë komente negative. Njerëzit më pyesnin ‘Pse nuk e shpëtove majmunin?’ dhe ‘Si mund të jesh kaq mizor?’. Ishte shumë emocionuese dhe gjithashtu zemërthyese. Por si fotografë të kafshëve të egra, ne nuk mund të ndërhyjmë në natyrë”, thotë ai.

Për fotografen Callie Chee, e cila jeton në Australi, gjetja dhe fotografimi i kërpudhave biolumineshente është një përvojë magjike.

Fotografia e saj, e siç i quan ajo “kërpudhave fantazmë” për shkak të shkëlqimit të tyre të gjelbër të veçantë, fitoi vendin e parë në kategorinë fotografive të bimëve dhe kërpudhave.

“Këto kërpudha duken të zakonshme gjatë ditës, por natën, ato janë si një specie krejtësisht e ndryshme. Ato shkëlqejnë. Dhe ndihesh sikur je në një vend zanash kur i fotografon ato natën. Është një përvojë e mahnitshme, pothuajse shpirtërore”, thotë ajo.

Ndonëse çdo foto është unike, të gjitha fotografitë e prezantuara në konkurs shërbejnë si një kujtesë e bukurisë së natyrës, brishtësisë dhe qëndresës së saj. Ato gjithashtu nxjerrin në pah rëndësinë e mbrojtes së mrekullive natyrore.