Imazhi i flamurit me mesazhin “nuk dorëzohemi” në serbisht u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale kur u shpërnda nga Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

“Imazhe të turpshme nga dhoma e zhveshjes së Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobike dhe gjenocidale ndaj Kosovës, duke shfrytëzuar platformën e Kupës së Botës FIFA”, thuhej në postimin e zotit Çeku në Twitter.

“Ne presim veprime konkrete nga FIFA duke patur parasysh se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është anëtare me të drejta të plota e FIFA-s dhe UEFA-s.”

 

Kosova u bë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s në vitin 2016, tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, e cila nuk e ka njohur atë.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të një flamuri të shfaqur në dhomën e zhveshjes së ekipit serb në ndeshjen Brazil – Serbi”, thuhet në një deklaratë.

Procedurat e hetimit u hapën në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës FIFA 2022.

Federate e Futbollit të Kosovës tha se dënon ashpër “aksionin agresiv” kundër vendit.

“Kupa e Botës është një ngjarje gëzimi dhe uniteti dhe duhet të dërgojë mesazhe shprese dhe paqeje, jo mesazhe urrejtjeje. Ne i bëjmë thirrje FIFA-s të marrë masa kundër veprimeve të tilla,” thuhet në deklaratën e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Serbia, e cila humbi me rezultat 2-0 nga Brazili, do të luajë të hënën me Kamerunin. Federata e saj e futbollit nuk u përgjigj pyetjeve të agjencisë së lajmeve Reuters për koment.