Një klerik fetar, me Biblën në dorë,

E njihnin në popull, si Prifti gazmor.

Vlerësimin e gëzonte për sharmin e tij,

Ngase gjitha punët i shkonin në vijë!

Desh u çmend Mbreti, i ngrefosur fort,

– E sillni tha shpejt, Priftin në raport!

Pse t’quajnë gazmor, të priftë suksesi?

– Tha nuk kam halle, as borxh interesi!

Obobo!- klith Mbreti, kjo është mrekulli,

Tani unë të bëjë, përgjithmonë borxhli!

– Dëgjo me vëmendje, tri pyetje me rend,

Për një javë përgjigjet i dua me mend!

– Sa yje ka qielli ? – të gjitha numëroj…

Ku është mes’ i botës?, Çfarë unë mendoj?

Po s’mi the të gjitha, ta keni me dije,

Ka me t’shkuar koka, pas qafe si hije!

Si limon i verdhë, Prifti shkon në shtëpi,

E presin me frikë, gruaja me fëmijë!

Ata ish mësuar, ta shihnin përherë,

Ashtu të qeshur, plot shend edhe verë!

Prifti nuk e fshehu, shqetësimin për fare,

I tregon familjes, rend me rend, ashiqare,

Pastaj fton në popull, miq edhe këshilltarë:

Filozofë, dijetarë, pleqnar e magjistarë!

Askush nuk i jepte, përgjigje t’qëlluar,

Vendosi të shkoj në mulli për t’ bluar!

Të bluaj grurë e misër, të ketë me bollëk,

Që mos t’mbetej familja, të paktën pa bukë!

Kur e pa Mullisi, Priftin me shqetësime,

Dukej shumë i humbur i tretur n’ kujtime!

I rrëfen ngjarjen, ashtu si të themi

– Mos keni merak, ka zgjidhje problemi!

Pasuritë e patundshme t’mi bëni tapi,

Livadhet nën ujë, zabel e mulli..!

Unë vetë shkoj te Mbreti, mos e keni dert,

E zgjidhi problemin, me shumë marifet!

Mullisi vë mjekër, veshë mantel të zi,

Shkon te Mbreti, me shumë siguri!

E shikon nga lart me kureshtje prore,

Çfarë përgjigje jep n’pyetjet mbretërore?

– I numërova yjet në qiell për shtatë ditë,

Më dolën sa qime i ka kali yt!

Nëse nuk besoni, shkoni i numëroni,

Për ndryshe, nuk del ajo që kërkoni!

Pastaj me litar e mata krejt dynjanë,

Më doli mesi, aty ku je në fron,

Sa i përket: Çfarë mendon si mbret?

– Unë nuk jam Prifti, po Mullisi vetë!

E heq mjekrën ngadalë e mantelin priftëror,

– Tha nga sot Prifti, nuk është më gazmor!

Nga kjo histori Mbreti, mbet i gëzuar,

E liron pa kushte, Mullisin kokë-zgjuar!

Sevdail Hyseni

(Karikatura e përpunuar, marrë nga interneti)