Ukrainasit e grupmoshave të ndryshme, me nivele të ndryshme të ardhurash dhe eksperiencash ushtarake janë mbledhur së bashku për të dhuruar fonde për të pajisur ushtrinë ukrainase. Siç njofton nga Kievi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova, me fondet e mbledhura synohet të blihet edhe një satelit për ushtrinë ukrainase.

Ukrainasit në Kiev vizitojnë një ekspozitë të mjeteve të shkatërruara ushtarake të Rusisë, një tjetër shenjë solidariteti që kur Rusia filloi sulmin ndaj vendit të tyre.

Ukrainasit e zakonshëm kanë dhënë mbështetje masive nëpërmjet nismave humanitare dhe të bamirësisë.

Me fushatën më të fundit për mbledhje fondesh, ukrainasit kanë mbledhur mjaftueshëm sa për të blerë një satelit për ushtrinë e tyre.

Në qershor 2022, një fondacion bamirësie i ngritur nga personaliteti i njohur televiziv Serhiy Prytula njoftoi se ishte bërë fushata më e madhe për grumbullim fondesh në historinë e Ukrainës. Objektivi i fushatës ishte të siguronte 16 milionë dollarë për të blerë tre dronë Bayraktar, të prodhimit turk, për ushtrinë ukrainase. Shuma u mblodh për vetëm tre ditë.

Në fushatë morën pjesë fëmijë, të moshuar dhe biznese. Drejtuesit e kompanisë turke të mbrojtjes, Baykar, u prekën nga solidariteti i treguar dhe vendosën t’ia jepnin dronët falas Ukrainës.

Në një deklaratë, zyrtarët e kompanisë thanë se kompania “Baykar nuk do të pranojë pagesën për dronët dhe do të dërgojë falas tre prej tyre në frontin ukrainas. Lutemi që këto fonde të shkojnë në ndihmë të popullit të Ukrainës që gjendet në vështirësi”, theksonte njoftimi.

Fondet e grumbulluara u caktuan për blerjen e një sateliti shumë të nevojshëm për shërbimin e zbulimit ushtarak të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas po përgatiten të blejnë një satelit finlandez që gjendet tashmë në orbitë.

Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për dronë apo satelitë. Ka të bëjë me unitetin. Dhe për nevojat që kemi. Duam thjesht të jetojmë si një komb, si një shtet. Prandaj është shumë mirë që e gjithë shoqëria u bashkua për këtë rast… Fëmijë të vegjël, të moshuar, personalitete të njohura, biznese. Të gjithë dhuruan për këtë projekt. Dhe pas kësaj, u bë e mundur të blihej një satelit”, i tha Zërit të Amerikës zoti Prytula.

Ndër donatorët janë edhe 11-vjeçari Serhii dhe 10-vjeçari Davyd. Ata mblodhën qershi në kopshtin e gjyshërve të Serhiit dhe i shitën për të mbledhur paratë.

“Shkuam të mbledhim qershi. Prindërit tanë sugjeruan idenë që t’i shisnim dhe ne ramë dakort, pasi duhet të ndihmojmë Ukrainën, duhet të ndihmojmë forcat tona të armatosura”, i thotë Zërit të Amerikës Davydi.

“Nuk jemi ende të rritur, por po e ndihmojmë që tani ushtrinë, dhe e dimë që kur të rritemi do të ndihmojmë po njësoj”, thotë Serhii.

I ashtuquajturi “Sateliti i Popullit” do të jetë në pronësi të shtetit ukrainas, ndërsa vendi vazhdon të ruajë unitetin përballë sulmit të Rusisë.