Kompania Google u gjobit me 370 milionë dollarë (21.1 miliardë rubla) të hënën nga një gjykatë ruse pasi sipas saj nuk ka hequr përmbajtjet që Moska i konsideron të paligjshme, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax.

Rusia ka kundërshtuar prej kohësh shpërndarjen e materialeve nga platformat e huaja të teknologjisë që bien ndesh me kufizimet e saj, por përplasjet e forta filluan në fillim të këtij viti, kur Moska grumbulloi në perëndim të vendit forcat e saj të armatosura përpara se ta fillonte sulmin kundër Ukrainës në fund të shkurtit.

Në fund të vitit të kaluar, Google u gjobit me 7.2 miliardë rubla për refuzimin për të hequr ose bllokuar përmbajtjet që ishin në shkelje të ligjeve ruse.

Llogaria bankare e njësisë së saj ruse është sekuestruar, duke bërë që filiali të deklarojë falimentimin dhe duke e bërë të pamundur pagesën e personelit dhe shërbimeve.

Kompania Google, e cila mund të apelojë vendimin, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të dërguar me email për koment.

Rregullatori i komunikimit, Roskomnadzor tha në qershor se platforma e publikimit të videove, YouTube, që është në pronësi të kompanisë Google, po përhapte qëllimisht informacione të rreme rreth konfliktit në Ukrainë dhe kishte lejuar përmbajtje që nxiste pikëpamje ekstremiste dhe thirrje për fëmijët që të merrnin pjesë në protesta të paautorizuara.

“YouTube promovon qëllimisht shpërndarjen e informacionit mashtrues në lidhje me përparimin e operacionit special ushtarak në Ukrainë, duke diskredituar forcat e armatosura të Federatës Ruse”, tha agjencia ruse Roskomnadzor.

Rusia thotë se po kryen një “operacion special ushtarak” në Ukrainë për të eliminuar një kërcënim ndaj sigurisë së saj dhe për të mbrojtur banorët rusishtfolës atje.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke i quajtur ato pretekste të pabaza për një grabitje të paligjshme toke.