Një vendim i opozitës bullgare për të mbështetur heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut ka nxitur sot shpresat për zhbllokimin e mundshëm të nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian mes Brukselit dhe Tiranës e Shkupit. Kryeministri Rama dhe homologu i tij maqedonas Dimitar Kovaçevski si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, konfirmuan më pas pjesmarrjen në takimin e nesërm me krerët e vendeve të BE-së, i cili do t’i paraprijë mbledhjes së Këshillit europian, ku ndër temat është rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendimi përfundimtar i Bullgarisë duket se varet tanimë nga rezultati votbesimit të kryeministrit Kiril Petkov, sot në mbrëmje

Një ditë më parë udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, vunë në dyshim praninë e tyre në takimin e nesërm me krerët e vendeve të Bashkimit europian në shenjë zhgënjimi ndaj zvarritjes së procesit të integrimit. Tirana dhe Shkupi po presin prej kohësh nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, të bllokuara nga vetoja e Bullgarisë, për shkak të disa pretendimeve të saj ndaj Shkupit.

Por sot një sinjal shprese u ndez pas deklaratës së kreut të opozitës bullgare Boykov Borissov, i cili i kërkoi qeverisë heqjen e vetos dhe mbledhjen e parlamentit për të marrë nje vendim, duke pranuar propozimin francez, i cili i ofron garanci Sofies për trajtimin në vijim, të problemeve bilaterale me Shkupin.

Pak pas këtij zhvillimi kryeministri Edi Rama shkroi në Twitter, me tone të përmbajtura, se sipas tij është “shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm, ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka marrë peng dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës”, duke konfirmuar kështu pjesmarrjen në takimin me udhëheqësit e vendeve të BE-së. Një takim në të cilin ai thotë se “nuk do të ketë shumë për të dëgjuar rreth nesh, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për marrjen tonë peng nga Bullgaria që shkatërron atë”.

Vendimi i opozitës bullgare u përshëndet si një hap historik nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili u shpreh se priste që qeveria t’i bëjë propozimin e nevojshëm parlamentit.

Kryeministri Kiril Petkov i qëndroi megjithatë linjës së zgjedhur, sipas së cilës çështja duhet të kalojë më parë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit bullgar, më pas në parlament e së fundmi në qeveri. Komisioni i jashtëm u mblodh pasdite, por pas më shumë se një orë diskutimesh, mbledhja u ndërpre, duke u shtyrë “për arsye teknike”. Sipas njoftimit Komisioni do të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm, por pa përcaktuar se kur.

Gjithçka duket se lidhet me situatën e nderë politike në Sofje. Qeveria e kryeministrit Petkov, do t’i nënshtohet votbesimit sot në mbrëmje, pasi një prej partive anëtare të koalicionit, u largua prej saj. Rezutati i këtij votbesimi, pritet të jetë përcaktues për qëndrimin e nesërm të Bullgarisë në mbledhjen e Këshillit Europian.