Shumë studime të cilave u referohet AgroWeb.org, sugjerojnë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës.

Sipas tyre, ngrënia e një mëngjesi të shëndetshëm mund t’ju ndihmojë të largoni peshën e tepërt dhe të ruani format e shëndetshme trupore.

Ekspertët nënvizojnë faktin se ngrënia e mëngjesit frenon urinë gjatë ditës dhe kësisoj, njeriu është më pak i joshur ndaj ushqimeve të shpejta dhe plot kalori.

Këshilla mbi ushqyerjen e shëndetshme dhe humbjen e peshës mund të lexoni rregullisht në AgroWeb.org, megjithatë për ta përmbledhur, lexuesit që duan të humbasin nga pesha, duhet ta nisin ditën duke ngrënë mëngjes.

Mëngjesi, ide praktike dhe funksionale për një bark të sheshtë

Ushqyerja e shëndetshme që në mëngjes është e mundur nëse mbani parasysh këto 2 aspekte:

Fibër, proteinë, karbohidrate dhe yndyrna të shëndetshme

Në mëngjes synoni që pjata juaj të ofrojë ushqyesit bazë shumë të rëndësishëm: proteina, fibër, karbohidrate dhe yndyrna të shëndetshme.

Pra, ju mund ta nisni ditën me një fetë buke me drith të plotë, tërshërë ose fasule të zeza, të shoqëruar me vezë të ziera ose omletë, djathë dhe avokado.

Të gjitha këto ofrojnë ushqyesit bazë të nevojshëm jo vetëm për shëndet por edhe dobësim.

Të paktën një frut ose perime për mëngjes

Nëse ju përfshini një frut apo perime të vetme për mëngjes, sapo keni ndërmarrë një hap shumë të shëndetshëm drejt pasjes së një peshe të mirë trupore.

Për shembull, omletën mund ta pasuroni me speca të cilat kanë vitaminë C, tërshërën mund ta kombinoni me banane ose fruta pylli etj.

Ato janë shumë të pasura me fibër, vitamina, minerale dhe antioksidantë.

Kur është koha e duhur për të ngrënë mëngjes

Ekspertët këshillojnë që vakti i parë i ditës duhet konsumuar brenda një ore nga zgjimi.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, nëse i përmbaheni këtij orari, do të vëreni një përmirësim të ndjeshëm të performancës fizike dhe mendore.

Për më tepër, ngrënia e mëngjesit në një orë të caktuar mund të frenojë edhe nepsin e darkës.

Darka ka tendencën t’i shëndoshë njerëzit sepse në mbrëmje, njeriu e ka të pamundur të djegë kalori.

Nga ana tjetër, nëse nuk dilni nga shtëpia pa ngrënë, rreziku i diabetit do të ulet.

Këtë e thotë një studim i publikuar në revistën Physiology, sipas të cilit mëngjesi përmirëson djegien e kalorive dhe zbut ndjeshmërinë ndaj insulinës.