Trajtat e shkurtra të shqipes, gegërishtes dialektore hasen më së tepërmi në zonën e Drenicës dhe jo vetëm. Kjo dukuri vërehet edhe shumë më përtej Kosovës së sotme, respektivisht akoma më në veri të etnikumit shqiptar, në Toplicë, tek shqiptarët muhaxhirë që kanë prejardhje nga zona veriore dhe qendrore eToplicës, por edhe tek shqiptarët e sotëm të Medvegjës, që akoma jetojnë në zonën jugore të saj.

Ç’është e vërteta, nuk kemi të bëjmë me trajta të shkurtuara, por me temat njërrokëshe të fjalëve, që në fakt janë bazë e të gjitha fjalëformimeve tjera të kombinuara (dyrrokëshe, trerrokëshe…).

Ja disa shembuj:

Në dialektin e Drenicës thuhet “ka” për ‘kanë’ (u “ka”, u ‘kanë’, ka ‘qenë’), “ba” për ‘ban’ (mos “ba”, mos ‘ban’, mos ‘bën’), “dha” për ‘dhanë’ (i ka “dha”, i ka ‘dhanë’, i ka ‘dhënë’).

Në dialektin e Toplicës, trajtat e shkurtra “ka”, “ba” (bo), “dha” janë përdorur më rrallë (sepse janë përshtatur me termet e zonave ku janë vendosur si muhaxhirë, refugjatë, duke u pasuruar me shtojca, mbaresa: ka’në, ba’n, bo’n, dha’në), porse kanë qenë evidente deri vonë.

Por, një trajtë tjetër njërrokëshe është ruajtur deri më sot në Toplicë, e që në zonën e Drenicës nuk e hasim. Është fjala për termin Zot. Në të folmen e toplicasve, qofshin ata muhaxhirë gjithandej territorit të sotëm të Kosovës, qofshin vendorë në zonën e Medvegjes, emri Zot në shumë raste ka mbijetuar në trajtën njërrokëshe Zo. P.sh.: “Zo bone mirë”, “Zo bone hajr”, “Zo ruje”, “Zo fale” (për bukën, për bereqetin), “i Madhi Zo”, “kushedizo” (kush e di, o Zo[t]), “veç ni Zo e di”,  “mos o Zo”, “mozomakeq” (mos Zo ma keq), “moZolla” (mos Zo[t], Allah).

Këto forma të shkurtra të dy nën-dialekteve të gegërishtes, Drenicës dhe Toplicës, janë dëshmi tjetër se gjuha shqipe, si gjuhë që ka më së shumti fjalë njërrokëshe të pavarura, kuptimplote, nuk e ka çerdhen e saj në shpatet e Bunës, Drinit e Matit, si zonë e paragjykuar e etnosit shqiptar, por në krahët e lumenjve Toplica e Drenica, respektivisht në trevën e Dardanisë.

Këto forma të shkurtra njërrokëshe, si më sipër, dhe jo vetëm, janë tamam të shkurtra (e jo të shkurtuara) qysh në gjenezë. Ato nuk do të mund të shkurtoheshin nëse do të lëviznin folësit e tyre, nga një rajon në tjetrin. Kjo, për faktin se lëvizjet nuk janë vetëm zhvendosje por edhe erozion. Që domethënë se mund të humbin në masë (mund të humbet ndonjë fjalë), porse ajo që mbetët (nga leksiku i fjalëve), patjetër do të marr elemente të reja gjatë rrugës dhe vendit të ri ku është vendosur.

Nëse ka pasur lëvizje të popullsisë, brenda etnikumit shqiptar, e që është normale, mund të ketë pasur diçka të tillë nga Toplica e Drenica në drejtime të tjera, por jo e kundërta.

Si rrjedhojë, teoria e shpërnguljes së popullatës shqiptare nga veriu i Shqipërisë së sotme politike në drejtim të Kosovës, dhe përtej saj, është mit i shpikur që, veç tjerash, bëhet edhe më e paqëndrueshme përballë këtyre argumenteve.

Për ta argumentuar sa më sipër, po e japim edhe një ilustrim se kush është baza e kush është periferia, kush është burimi e kush rrjedha e fjalëve në leksikun e shqipes së vjetër:

Dialekti i Toplicës: u shku;

Dialekti i Drenicës: u shku, ka shku;

Dialekti i Llapit: ka shkue;

Dialekt i Pashtrikut: ka shkua;

Dialekti i Anamoravës: ka shkumun;

Dialekti i Nerodimës: ka shkumen;

Dialektet e Toskërisë: ka shkuar (ka vajtur).

/Adem Breznica, gazetar i pavarur dhe profesor i historisë/