Hungaria ka shpallur “gjendje rreziku” në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainën fqinje, njoftoi kryeministri hungarez të martën. Kjo masë i lejon Qeverisë së krahut të djathtë që të ndërmarrë masa të posaçme pa pasur nevojë që të marrë miratimin e Parlamentit.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se lufta në Ukrainë paraqet “një kërcënim të vazhdueshëm për Hungarinë”, e cila “po vë në rrezik sigurinë tonë fizike dhe po kërcënon sigurinë energjetike dhe financiare të ekonomisë sonë dhe familjeve tona”.

Në përgjigje, ai tha se “gjendja e rrezikut të luftës” do të hyjë në fuqi duke filluar nga e mërkura, që do t’i lejojë Qeverisë “të përgjigjet menjëherë dhe të mbrojë familjet hungareze dhe Hungarinë me çdo mjet të mundshëm”.

Ky njoftim vjen pasi partia në pushtet e Orbanit të martën, më 24 maj, miratoi një amendament kushtetues që lejon shpalljen e gjendjes së rrezikut kur në vendet fqinje ndodhin konflikte të armatosura, luftëra ose katastrofa humanitare.

Ky mjet i posaçëm juridik i lejon Qeverisë që të nxjerrë ligje me dekret dhe pa mbikëqyrje parlamentare dhe lejon pezullimin e përkohshëm apo shmangien e ligjeve ekzistuese.

Qeveria e Hungarisë kishte zbatuar masa të ngjashme në përgjigje të pandemisë COVID-19, masa që u kritikuan nga vëzhguesit ligjorë, të cilët argumentuan se këto masa i dhanë mundësi Qeverisë që të vendosë përmes dekretit.

Qeveria e Orbanit është akuzuar për kufizim të lirive demokratike në Hungari qëkur ai mori pushtetin në vitin 2010 dhe se ka përdorur burimet shtetërore për të konsoliduar pushtetin. Partia në pushtet, Fidesz, më 3 prill fitoi zgjedhjet, duke i dhënë Orbanit edhe një mandat katërvjeçar në krye të ekzekutivit hungarez.

Në një deklaratë të martën, Emese Pasztori nga Bashkimi hungarez i Lirive Civile tha se Qeveria e Hungarisë “po i përshtat edhe një herë rregullat e lojës sipas nevojave të veta”.

“Duke lejuar gjithmonë mundësinë e vendosjes së një urdhri të posaçëm juridik në të ardhmen, kjo mundësi ligjore do të humbasë karakterin e veçantë që ka. Do të bëhet normalja e re, e cila do të kërcënojë të drejtat themelore të të gjithë neve dhe sundimi me dekret do të zvogëlojë edhe më tej rëndësinë e Parlamentit”, tha Pasztor.

Dekretet qeveritare që nxirren përmes urdhrit të posaçëm ligjor janë të vlefshme për 15 ditë, përveç se nëse vlefshmëria e tyre zgjatet nga Parlamenti i Hungarisë.
Partia Fidesz e Orbanit ka dy të tretat e shumicës në Parlament që nga viti 2010.