Emirgracioni në vend ka shënuar një cikël tjetër rritës pas vitit 2017. Një nga metodat e INSTAT (rishikimi vjetor i popullsisë) evidenton se nga viti 2011-2022 janë larguar në emigracion 7.5 % e popullsisë së vendit ose 213,748 persona.

Kjo përllogaritje është akumulim i emigracionit neto (diferenca ndërmjet të ikurve dhe të kthyerve) në 10 vitet e fundit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, çdo vit në mënyrë sistematike emigracioni neto ka qenë më bilanc negativ, përkundër pritshmërive se, flukset e emigracionit do të stablizoheshin në dekadën e tretë të tranzicionit.

Sipas të dhënave të INSTAT popullsia nga të dhënat e censit 2011 ishte 2,831,741 persona, teksa me të dhënat e emigracionit neto kanë ikur nga vendi 213,748 persona ose 7.5 % e popullsisë që u numërua me 2011. Në vitin 2021 u regjistrua dhe niveli më i lartë i të larguarve neto nga vendi në një dekadë, me gati 33 mijë persona që ikën pa kthim. Ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm pas frenimin në periudhën e pandemisë, në 2020-n.

Por në realitet emigracioni është më i lartë se, përllogaritjet nga migracioni neto. INSTAT vlerëson se lëvizjet e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi (migracioni ndërkombëtar), është komponenti më i vështirë për tu matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. “Në këtë mënyrë ne përdorim të dhënat më të mira ‟proxy‟ për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientët e projeksioneve të popullsisë 2011-2031.“ sqaron iNSTAT në metodologjinë e matjes vjetore të popullsisë.

Matje të ndryshme po nga INSTAT tregojnë se fenomeni i emigracionit është më i lartë se në rishikimin vjetor të popullsisë. P.sh. në vitin 2019 në një anketë të posaçme kombëtare mbi emigracionin, rezultatet e të cilës u publikuan me vonesë treguan se, nga viti 2011 deri në vitin 2019 ishin larguar në emigracion 360 mijë shqiptarë, ndërsa matjet nga nivelin diaporë tregojnë një shifër shumë më të lartë.

Popullsia e Shqipërisë filloi të ulet që nga viti 1990, si pasojë e një emigracioni masiv. INSTAT përllogarit se gjatë viteve 2011-2020 vlerësohet se, mesatarisht 42 mijë persona emigruan çdo vit. Arsyet kryesore për emigracionin kanë të bëjnë me mundësi më të mira për punë, arsim dhe kujdes shëndetësor.

Duke pasur parasysh se shqiptarët vendbanues nuk regjistrohen sistematikisht kur largohen nga vendi dhe duke qenë se ka pak stimuj që ata të regjistrojnë largimin te autoritetet vendore, nuk ka matje të besueshme të numrit të individëve që janë larguar nga Shqipëria.

Sidoqoftë, iNSTAT përdor metoda të tërthorta për kryerjen e një vlerësimi mbi numrin e migrantëve i cili bazohet në të dhënat e dy censeve të njëpasnjëshëm, edhe pse ka vështirësi ose kufizime.

Censi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri jep një vlerësim të stokut të migracionit brenda periudhës midis censeve, i cili zakonisht kryhet çdo 10 vjet dhe përmban vetëm një numër të vogël pyetjesh, të cilat nuk mund të numërojë të gjitha ngjarjet e migrimit si: familje të tëra që lëvizin, migrimin sezonal/të përkohshëm dhe qarkullues./B.Hoxha/MONITOR.AL

Burimi: INSTAT