Përpara se pandemia e COVID-19 të mbërthente botën në vitin 2020 dhe t’i detyronte organizatat që të ristrukturonin metodat e punës, norma tradicionale e punës nga zyra nuk vihej fare në dyshim nga askush.

Megjithatë, bota zbuloi përfitimet e punës nga distanca dhe tani duket se nuk ka kthim prapa, të paktën për sa i përket dëshirës së punonjësve.

Por, cila prej tyre është më produktive? A ju japin përfitimet e punës nga zyra një avantazh ndaj punës në distancë apo kjo e fundit është më e përshtatshme për rendin e ri të botës?

Çuditërisht, shumë studime të kryera gjatë dy viteve të fundit tregojnë se produktiviteti gjatë punës nga shtëpia ishte më i lartë sesa produktiviteti i punës në një ambient zyre.

Njerëzit që punojnë nga shtëpia raportojnë nivele më të larta të kënaqësisë

Një studim i vitit 2015 nga Stanford me 16,000 punonjës, i cili zgjati rreth nëntë muaj, zbuloi se puna nga shtëpia rrit produktivitetin me 13 për qind. (Mos harroni, viti 2015 ishte të paktën katër vite përpara se të fillonte pandemia e COVID-19.)

Raporti mori në konsideratë rezultatet e një eksperimenti të punës nga shtëpia te Ctrip, një agjenci kineze e udhëtimeve me 16,000 punonjës, e listuar në NASDAQ. Punonjësit e call centre të kompanisë që dolën vullnetarë të punonin nga shtëpia u përzgjodhën rastësisht ose për të punuar nga shtëpia, ose nga zyra, për plot nëntë muaj.

Puna nga shtëpia solli një rritje prej 13 për qind të performancës, nga të cilat 9 përqind vinin si pasojë e rritjes së kohës së punës me më shumë minuta për ҫdo turn (për shkak të reduktimit të periudhave të pushimit gjatë ditës dhe të ditëve të lejes për arsye shëndetësore) dhe 4 për qind nga rritja e numrit të telefonatave për minutë (si pasojë e një mjedisi pune më të qetë dhe më të përshtatshëm).

Në të njëjtin studim, punonjësit raportuan gjithashtu përmirësim të kënaqësisë dhe shkalla e largimeve nga puna u reduktua me 50 për qind.

Studimet e kryera pas shpërthimit të pandemisë, kur filloi të aplikohej gjerësisht puna në distancë, vërtetuan përsëri rezultatet e këtij studimi.

Një raport i shtatorit të vitit 2021 nga Owl Labs në bashkëpunim me firmën lider të konsulencës për punën në distancë, Global Workplace Analytics, anketoi 2,050 punonjës me kohë të plotë në SHBA për të mësuar më shumë rreth gjendjes aktuale të punës në distancë dhe të punës hibride, si dhe të asaj që pritej në të ardhmen.

Ky raport tregoi gjithashtu se produktiviteti nuk pësoi rënie, pasi 90 për qind e të anketuarve që punonin nga shtëpia gjatë pandemisë deklaruan se ishin po aq produktivë, në mos më tepër, duke punuar nga distanca në krahasim me punën nga zyra.

Nga të anketuarit, 84 për qind thanë gjithashtu se puna në distancë pas pandemisë do t’i bënte ata më të lumtur, madje shumë prej tyre ishin të gatshëm të pranonin edhe një ulje page për këtë.

Në një studim tjetër dyvjeçar nga Great Place to Work, me më shumë se 800,000 punonjës në kompanitë e Fortune 500, u zbulua se shumica e njerëzve raportuan nivele të qëndrueshme apo edhe rritje të produktivitetit kur filluan të punonin nga shtëpia.

Duke qenë se nuk ishte më nevoja për udhëtimet e përditshme për të shkuar e për t’u kthyer nga puna, si dhe me eliminimin e takimeve të gjata personale, punonjësit zbuluan se ishin në gjendje të bënin shumë më tepër.

Megjithatë, kultura dhe lidershipi i kompanisë, të njëjtët faktorë që ndikojnë në produktivitetin e punës nga zyra, vazhdojnë të kenë ndikimin më të madh edhe në produktivitetin e punës në distancë.

Sipas kompanisë Apollo Technical, ata që punojnë nga shtëpia shpenzojnë 10 minuta më pak ҫdo ditë duke qenë joproduktivë, punojnë një ditë më shumë në javë dhe janë mesatarisht 47 për qind më produktivë.

Nëse bazohemi te studimet e fundit, produktiviteti duket se është më i lartë në strukturën e punës në distancë krahasuar me punën nga zyra.

Megjithatë, organizatat mund të mos duan të ndryshojnë dhe ka një përqindje të caktuar të punonjësve që nuk e mbështesin plotësisht punën në distancë për produktivitetin e tyre. /Yahoo Finance