Më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk arrijnë dot të kursejnë para. Janë këto gjetjet e një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë sipas të cilit rreth 62% e familjeve e kanë të pamundur të heqin para mënjanë për shkak të të ardhurave të pakta që përfitojnë.

Ndërsa pjesa tjetër (38%) rezulton se kanë mundësi të kursejnë nga të ardhurat e tyre. Më kursimtarë duket se janë familjet me 3 anëtarë, ndërsa më pak të prirur për të kursyer janë ato me një anëtar.

Por, për çfarë kursejnë më shumë shqiptarët?

Referuar vrojtimit, mbi gjysma e tyre që arrijnë të kursejnë, e bëjnë këtë për të mundësuar sidomos shkollimin e fëmijëve si dhe për kursimet e pleqërisë.

Të tjerët kujdesen të shpenzojnë më pak e të kursejnë më shumë deklarojnë se e bëjnë këtë për blerjen e një shtëpie apo makinë, për pushime apo për detyrime të tjera si siç është edhe shlyerja e borxheve.

Burimi kryesor i të ardhurave për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare që i përdorin për konsum por edhe për të kursyes janë ato nga puna, ndjekur nga dërgesat e emigrantëve që kanë një peshë të konsiderueshme dhe shërbejnë si një ndihmë e madhe për shumë shqiptarë që kanë jashtë të afërmit e tyre.

Shqiptarët pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre e çojnë për blerjen e ushqimeve që sipas INSTAT zë rreth 42% të totalit të buxheteve familjare.

Në gjetjet e saj, Banka Qendrore vlerëson se një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 35.3 mijë lekë në muaj për ushqime dhe për shërbime, që lidhen me energjinë, ujin, gazin apo pagesat e telefonisë dhe internetit.