Finlanda do të vendosë rreth aplikimit për anëtarësim në NATO më 12 maj, raporton gazeta finlandeze Iltalehti, duke cituar burimet e saj qeveritare.

Vendimi do të merrej me dy hapa: fillimisht, presidenti finlandez, Sauli Niinisto, do të njoftonte se ka dhënë miratimin, ndërsa grupet parlamentare do ta jepnin miratimin pas tij.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i konfirmojë këto detaje të dhëna nga gazeta Iltalehti.

Debati në Finlandë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s ka nisur qëkur Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Debat i ngjashëm është duke u bërë edhe në Suedi.

Të dyja këto vende janë ushtarakisht neutrale tash e sa dekada.

Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, ndërsa Suedia nuk ka kufi direkt me shtetin rus.

Rusia ka paralajmëruar pasoja për NATO-n nëse lejon anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se zgjerimi i NATO-s nuk do të sillte më shumë stabilitet në Evropë, ndërsa Dmitry Medvedev, anëtar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, ka thënë se nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, Moska do të detyrohet të forcojë mbrojtjen e saj në Baltik, duke vendosur edhe armë bërthamore.