Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shënuar fitore bindëse ndaj rivales së tij të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit në Francë.

Sipas projeksioneve të besueshme, të bazuara në rezultate reale, Macron, 44-vjeçar, ka fituar më shumë se 58 për qind të votave, në krahasim me më pak se 42 për qind sa ka fituar Le Pen, 53-vjeçare.

Momentet e gëzimit janë parë menjëherë në ekranet e mëdha afër Kullës Eiffel, ku janë mbledhur mbështetësit e Macronit, të cilët janë parë me flamuj francezë dhe ata të Bashkimit Evropian.

‘Jam president i të gjithëve’

Macron ka nisur fjalimin e fitores duke falënderuar mbështetësit e tij dhe popullin francez.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se disa e kanë votuar për të bllokuar të djathtën ekstreme.

Macron ka thënë se është duke menduar për ata që nuk e kanë votuar dhe ata që kanë votuar për Le Penin e tani janë të zhgënjyer.

“Prej tani e tutje unë nuk jam kandidat i një kampi, jam president i të gjithëve”.

“U them atyre që kanë votuar për të djathtën ekstreme që do të jetë përgjegjësi e imja dhe ekipit tim që të adresojmë shqetësimet e tyre”.

Mbështetësit e tij kanë bërtitur “edhe një, edhe dy, edhe pjesë vjet tjerë”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron duke falënderuar mbështetësit e tij.

Presidenti francez, Emmanuel Macron duke falënderuar mbështetësit e tij

“Do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe për barazi në mes të burrave dhe grave”, ka thënë Macron.

“Ne duhet të tregojmë respekt sepse shteti ynë është aq i ndarë… askush nuk do të lihet anash”.

Presidenti francez po ashtu ka thënë se “kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e pesë vjetëve të fundit”.

“Lufta në Ukrainë na tregon se jemi duke jetuar në kohëra tragjike”, duke shtuar se Franca duhet të ndërtojë forcat e veta.

Macron e ka përmbyllur fjalimin e tij duke thënë se është krenar që do t’i shërbejë sërish popullit francez.

Momenti kur është bërë e ditur fitorja e Macronit.

Momenti kur është bërë e ditur fitorja e Macronit

Në anën tjetër, mbështetësit e Le Penit kanë bërtitur me zemërim teksa kanë marrë vesh lajmin.

Le Pen, mbështetësve: Edhe ky rezultat përbën fitore

Liderja e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen u është drejtuar menjëherë mbështetësve që kanë thënë me zë të lartë emrin e saj.

Ajo ka thënë se rezultatet – që parashohin humbjen për të – përbëjnë fitore për partinë e saj.

Ajo ka thënë se e respekton rezultatin e zgjedhjeve.

Le Pen ka shtuar se do të vazhdojë të luftojë në politikën franceze, ndonëse në të kaluarën ka thënë se mund ta lë politikën nëse humb garën.

Ajo ka falënderuar njerëzit që e kanë votuar dhe është larguar nga foltorja.

Liderët evropianë urojnë Macronin

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka mirëpritur rezultatin dhe ka uruar Macronin për parashikimet për fitore.

Përmes një postimi në Twitter, Michel ka thënë se Bashkimit Evropian i duhet një Francë e përkushtuar ndaj projektit të bllokut evropian në një kohë turbulente në kontinent.

Atij i është bashkuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka thënë se mezi pret të vazhdojë punën me presidentin e rizgjedhur.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka uruar po ashtu Macronin.

Ai ka thënë në Twitter se do të vazhdojë punën me liderin e “një prej vendeve aleate më të afërta dhe më të rëndësishme”.

Ndërkohë ka reaguar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Scholz u është bashkuar liderëve të shteteve evropiane duke u bërë thirrje publikisht francezëve që të refuzojnë të djathtën ekstreme të Marine Le Penit dhe të rizgjedhin Macronin.

Lideri gjerman ka thënë se votuesit kanë dhënë shenjë për mbështetjen e tyre ndaj Evropës dhe se mezi pret të vazhdojë punën me presidentin francez.

Fitorja e pro-evropianit Macron mund të konsiderohet nga disa si pushim nga ngjarjet që kanë goditur politikën kohën e fundit, përfshirë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe rritjen e një gjenerate të liderëve nacionalistë.

Macron është bërë presidenti i parë në historinë moderne të Francës që ka fituar mandat të dytë dhe ka shumicë parlamentare.

Franca mban zgjedhjet e reja për Parlament në muajin qershor dhe situata mund të ndryshojë, mirëpo tani për tani ai mund të vazhdojë të çojë përpara politikat e tij të brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Përballjet Macron – Le Pen

Vetëm dy presidentë para Macronit kanë arritur të fitojnë mandat të dytë presidencial në Francë, François Mitterrand më 1988 dhe Jacques Chirac më 2002.

Mirëpo margjina e tij e fitores duket më e ngushtë sesa kur ka mundur Le Penin në herën e parë më 2017, çka tregon se shumë francezë nuk janë të kënaqur me të dhe punën brenda Francës.

Sipas instituteve që përcjellin proceset zgjedhore në Francë, shkalla e abstenimit të zgjedhjeve ka qenë rreth 28 për qind, njëherësh më e larta prej vitit 1969.

Në kohën e shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve të Perëndimit, edhe në Francë janë rritur çmimet e energjisë dhe njëkohësisht kostoja e jetesës.

Le Pen e ka përdorur këtë gjë si pikë të dobët të Macronit.

Ajo ka premtuar zvogëlim të taksave për karburante, heqje të taksave në produkte të domosdoshme si dhe zbatimin e qasjes “francezët të parët” kur është fjala për punë dhe mirëqenie.

Macron, në anën tjetër, ka përmendur admirimin që ka pasur Le Pen në të kaluarën për presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se asaj nuk mund t’i besohet pozita e presidentit.

Ai po ashtu ka përmendur se Le Pen ka pasur plane për ta larguar Francën nga Bashkimi Evropian – diçka që ajo mohon.

Përgjatë fushatës zgjedhore Macron ka thënë se francezët do të punojnë më shumë, duke thënë se është i hapur për të diskutuar planet për të rritur moshën e pensionimit nga 62 në 65 vjet.

Ndërkohë Le Pen ka theksuar sërish propozimin për t’ua ndaluar njerëzve vendosjen e mbulesës myslimane në publik – qasje që është parë si ekstreme për shumë francezë.